Lidhje

Sulme ajrore turke mbi militantët e ISIS-it


Avionët ushtarak sulmuan pozicionet e ISIS-it përgjatë kufirit më Sirinë, ndërsa policia arrestoi 251 persona në një varg bastisjesh në kërkim të militantëve gjithandej Turqisë.

Turqia ka kryer sulme ajrore mbi militantët e grupit shteti Islamik në Siri, në një veprim që ka shkallëzuar përfshirjen e saj në betejën kundër grupit ekstremist.

Sipas zyrës së kryeministrit të Turqisë, tre avionë F-16, u ngritën të premten herët në mëngjes nga Diyarbakiri në juglindje të Turqisë, duke sulmuar përgjatë krahinës kufitare turke të Kilisit.

Në komunikatë thuhet se avionët hodhën katër bomba të komanduara mbi forcat e Shtetit Islamik.

Vendimi për të ndërmarrë sulme ajrore u mor të enjten vonë në një takim të zyrtarëve të sigurisë të drejtuar nga kryeministri Ahmet Davutoglu.

Kjo është hera e parë që Turqia përfshihet në sulme ajrore kundër Shtetit Islamik në Siri.

Të premten në agim, zyrtarët turq thanë se 251 persona janë arrestuar gjatë bastisjeve masive të policisë në disa çerdhe të militantëve të ISIS-it dhe atyre kurd gjithandej vendit.

Më shumës e 5 mijë policë të mbështetur nga helikopterët, bastisën të paktën 100 lokacione nëpër Stamboll në kërkim të militantëve.

Operacionet pasuan njoftimet se Turqia është pajtuar të lejojë që avionët ushtarak amerikan të përdorin bazën ajrore Incirlik në jug të Turqisë, për të sulmuar militantët e Shtetit Islamik në Siri.

As Turqia e as Shtetet e Bashkuara, nuk e konfirmuan publikisht marrëveshjen. Por mediat thanë se marrëveshja është përmbyllur të mërkurën gjatë një bisede telefonike ndërmjet presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan dhe atij amerikan, Barack Obama.

Ushtria amerikane ka vepruar në bazën Incirlik për një kohë të gjatë, por Turqia kishte refuzuar kërkesat e përsëritura të Washingtonit për të shfrytëzuar bazën në funksion të sulmeve kundër Shtetit Islamik.

Baza ajrore është rreth 400 kilometra larg nga Raqqa, çerdhe e Shtetit Islamik në Siri dhe do të shkurtonte shumë rrugëtimin e bombarduesve amerikan nga Iraku në Siri.

Koalicioni i drejtuar nga Shtetet e Bashkuara ka kryer mijëra sulme ajrore mbi pozicionet e Shtetit Islamik në Siri dhe Irak dhe pohon se ka shënuar sukses në pengimin e përparimit të militantëve. Por, grupi ende kontrollon zona të gjera në veri dhe në perëndim të Irakut dhe në veri të Sirisë përgjatë kufirit me Turqinë.

Javët e fundit Turqia është përfshirë në përleshje përgjatë kufirit.

Të enjten, luftëtarët e Shtetit Islamik në Siri dhe ushtria turke u përfshinë në një përleshje që la pas vetes të paktën një ushtar turk të vrarë.

Tridhjetedy veprimtarë të rinj që po përgatiteshin për një mision ndihmash në Siri, u vranë të hënën në një sulm vetëvrasës në Suruc të Turqisë. Qeveria turke për herë të parë fajësoi Shtetin Islamik për sulmin.

Dy ditë më vonë, dy pjesëtarë të policisë turke u vranë afër kufirit me Sirinë. Partia Punëtore Kurde mori përsipër përgjegjësinë, duke theksuar se sulmi ishte hakmarrje për bashkëpunimin e qeverisë turke me shtetin Islamik. Turqia i mohon akuzat.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG