Lidhje

Dy shqiptarë të dënuar në Turqi për terrorizëm


Një gjykatë turke dënoi me burgim të shumëfishtë të përjetshëm tre pjesëtarë të grupit Shteti Islamik, nën akuzat për vrasjen e dy pjesëtarëve të forcave të sigurisë dhe një civili në mars të vitit 2014.

Në vendimin e gjykatës që e ka parë agjencia e lajmeve Reuters, thuhet se të dënuarit, një shtetas gjerman, një shtetas maqedonas dhe i treti i identifikuar si Qëndrim Ramadani, kishin hyrë në Turqi në rrugë të paligjshme nga Siria në mars të vitit 2014 dhe po udhëtonin me taksi drejt Stambollit, kur hapën zjarr mbi forcat e sigurisë në një postbllok në afërsi të qytetit Nigde në jug të Turqisë, thuhet në vendimin gjyqësor.

Një pjesëtar i xhandarmërisë dhe një polic u vranë, ndërsa tetë pjesëtarë të xhandarmërisë u plagosën gjatë të shtënave, ndërsa një shofer kamioni u vra më vonë pasi që sulmuesit e morën automjetin e tij.

Të tre ata u kapën brenda 24 orësh, ndërsa gjykata në Nigde e dënoi me pesë burgime të përjetshme dhe 175 vjet Ramadanin, Benyamin Xunë me katër burgime të përjetshme dhe 179 vjet, ndërsa Muhammad Zakirin me një burgim të përjetshëm dhe 124 vjet. Dënimet e tilla të shumëfishta janë më të rëndit sipas Kodit Penal turk.

Në paraqitjen e tij në gjykim, shtetasi gjerman Benyamin Xu, tha se ishte takuar me Ramadanin dhe shtetasin maqedonas Muhammad Zakiri në Siri ku kishin qëndruar për nëntë muaj në një kamp stërvitjesh të grupit Shteti Islamik.

Xu tha se Ramadani kishte qëlluar mbi forcat e sigurisë dhe shoferin e kamionit.

Përkatësia e Ramadanit nuk është bërë e qartë meqë sipas dokumenteve atij i janë referuar herë si shtetas zviceran e herë si shtetas i Serbisë.

Policia kapi armë dhe granata dore në makinën e sulmuesve. Ata thanë se ishin në rrugë për në Maqedoni në kohën e përleshjes, ndërsa prokurori tha se ata po përgatisnin një sulm në Stamboll.

Personi i katërt që sipas akuzës ishte i lidhur me tre të tjerët, u dënua me 13 vjet e nëntë muaj heqje lirie nën akuzat për mashtrim dhe pjesëmarrje në organizatën terroriste.

XS
SM
MD
LG