Lidhje

Kosovë: reagime ndaj ndërhyrjes së Turqisë


Në Kosovë, Kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi, tha të mërkurën se nuk ka parë elemente të veprës penale në statusin e gazetarit Berat Buzhala në rrjetin social Facebook, që kishte nxitur një kërkesë të ambasadës turke për ndëshkim të gazetarit.

Ambasada turke në Prishtinë i ka kërkuar qeverisë së Kosovës të ndëshkojë gazetarin Buzhala për shkak të komenteve në kohën e përpjekjes për grusht shteti në Turqi.

Në një letër që u publikua të martën nga agjencia e lajmeve Reuters, ambasada turke i shkruante ministrisë së Jashtme të Kosovës për ta informuar se "pronari dhe drejtori i përgjithshëm i portalit Gazeta Express, Berat Buzhala, më 15 korrik derisa vinin lajme për përpjekjet për grusht shtet në Turqi, u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që ndodhen në Turqi, të vihen në anën e grupit që bëri përpjekje për grusht shteti".

Ambasada i referohet një statusi ironik të zotit Buzhala në facebook në të cilin thuhej se "i ftoj qytetarët e Republikës së Kosovës që janë me pushime në Turqi të rreshtohen me ushtrinë”.

Ambasada turke ka nënvizuar ligjin për parandalimin e përfshirjes së qytetarëve të Kosovës në luftërat e huaja të miratuar në mars të vitit 2015, si rrugën e ndëshkimit të zotit Buzhala.

Kryeprokurori i shtetit Aleksandër Lumezi tha të mërkurën se "ne do t’i marrim të gjitha veprimet në përputhje me legjislacionin vendor, dhe nëse e shohim se ka ndonjë element të ndonjë vepre penale me siguri se ne do të kyçemi. Por me sa e kam parë unë, nuk kemi të bëjmë me elemente të veprës penale, dhe nuk është çështje e Prokurorisë së Shtetit që të merret me problemet të cilat janë shfaqur mes një gazetari dhe ambasadës turke në Kosovë”, tha zoti Lumezi.

Kërkesa e ambasadës turke nxiti reagimin e organizatave të gazetarëve por edhe të partive e institucioneve politike. Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, i tha Radios Evropa e Lirë se "ky është një mbireagim nga ana e Ambasadës turke në Prishtinë dhe është një notë e pazakontë verbale. Raportet tona me Turqinë janë miqësore. Ne i jemi mirënjohës Turqisë për mbështetjen e madhe që i ka dhënë shtetit të Kosovës. Por nota verbale si e tillë për ne është e papranueshme dhe besoj se ky keqkuptim do të tejkalohet".

Vet gazetari Buzhala e ka cilësuar të "papërfytyrueshme që një qeveri e huaj bën një kërkesë të tillë për shkak të disa komenteve satirike."

Përpjekja për grusht shteti më 15 korrik në Turqi, bëri që autoritetet turke të ndërmarrin një fushatë arrestimesh në shkallë të gjerë dhe të shtojnë trysninë edhe jashtë Turqisë duke kërkuar dorëzimin e rivalit politik të presidentit Recep Tayyip Erdogan, Fethullah Gulen, i cili akuzohet për nxitje të grusht shtetit.

Autoritetet në Kosovë mohuan të kenë marrë ndonjë kërkesë zyrtare për mbylljen e shkollave private të udhëhequra nga Fethullah Guleni, ndërsa në kohën e trazirave ishin vënë në mbështetje të "rendit kushtetues të Turqisë".

Trego komentet

XS
SM
MD
LG