Lidhje

Plani i paqes mes Turqisë dhe kurdëve


Procesi tre vjeçar i paqes mes Turqisë dhe kurdëve po kërcënohet ndërsa të dyja palët ngurtësojnë pozitat e tyre. Qeveria turke këmbëngul që rebelët kurdë të çarmatosen, por kurdët thonë se hapat konkretë duhet të ndërmerren së pari nga qeveria. Korrespondenti Dorian Jones njofton nga Stambolli.

Tensioni dhe retorika e zemëruar vazhdojnë të shkallëzohen mes partisë AK në pushtet dhe partisë pro-kurde, Partia Popullore për Demokraci ndërsa përpjekjet e paqes për t’i dhënë fund një kryengritjeje prej katër dekadash nga grupi rebel kurd PKK po tensionohen gjithnjë e më shumë.

15 shkurti, përvjetori i kapjes së udhëheqësit të PKK-së Abdullah Oçalan nga forcat turke ishte data kur të dyja palët duhet të publikonin një deklaratë të përbashkët me hapat e mëpasshëm të procesit të paqes.

Mes pritshmërive ishte që udhëheqësi i burgosur i PKK-së do të deklaronte një armëpushim të përhershëm; por, ushtria dhe udhëdheqësit politikë kurdë akuzuan qeverinë se ka dështuar të ofrojnë lëshime konkrete.

Eksperti për marrëdhënie ndërkombëtare Soli Ozel në universitetin Kadir Has të Stambollit thotë se procesi është nën trysni.

"Mendoj se është nën trysni të madhe. A do të mbijetojë ai? Pasi e dimë se besimi që është i nevojshëm për bisedime nuk është më aty por duhet të presim."

Udhëheqja e PKK-së, me bazë në Kurdistanin e Irakut, nxorri një komunikatë këtë muaj, ku paralajmëron se procesi i paqes është nën rrezik, në një pikë kritike dhe ka rrezik të përfundojë.

Dyshimet e kurdëve lidhur me sinqeritetin e qeverisë janë shtuar si pasojë e një projektligji të propozuar për sigurinë, që do të shtonte shumë pushtetin e policisë. Kritikët thonë se ky ligj do ta kthente vendin në një shtet policor. Bashkë-drejtuesi i partisë pro-kurde, Partia Popullore për Demokraci, Selahattin Demirtas, e cilëson legjislacionin si një dinamit, duke thënë se ai kërcënon të hedhë në erë procesin e paqes.

Kryeministri Ahmet Davutoglu ritheksoi të hënën vendosmërinë e tij për ta paraqitur projekt-ligjin për miratim.

Ai tha se projektligji i ri i sigurisë do të miratohet nga parlamenti turk për të mbrojtur lirinë dhe për të dhënë siguri. Ai tha se pavarësisht vështirësive, projektligji do të miratohet në parlament.

Analistët thonë se velloja e fshehtësisë që rrethon bisedimet është faktori kryesor pas mosbesimit në rritje. Që kur filluan bisedimet, ato janë përqëndruar tek udhëheqësi i burgosur i PKK-së Oçalan dhe tek qasja e kontrolluar e politikanëve pro-kurdë të zgjedhur nga qeveria.

Analisti Kadri Gursel thotë se procesi duhet të bëhet më transparent që të ketë përparim.

"Mendoj se të gjitha negociatat mes Oçalanit dhe Erdoganit përmes misionarëve, përmes shërbimeve të inteligjencës etj, duhet të bëhen transparente dhe kjo është ajo që kërkojnë kurdët."

Qeveria i kundërshton thirrje të tilla dhe nuk është e qartë sesa entuziastë është zoti Oçalan për të krijuar një proces më përfshirës.

Zoti Gursel paralajmëron se mosbesimi, i shoqëruar me shqetësimet në rritje lidhur me gjendjen e demokracisë në Turqi, mund të bëjë që shumë kurdë të shtrojnë pyetjen nëse mund të gjendet një zgjidhje paqësore.

"Me Turqinë në vështirësi dhe pa shpresë për të hyrë në BE, dhe Turqinë që po bëhet një regjim autoritar, a do të sugjerojë bota që partia kurde të qëndrojë brenda kësaj Turqie, në se do të ketë një regjim autoritar islamik në Turqi?"

Presione të mëtejshme të procesit të paqes janë të pritshe me qeverinë që këmbëngul se deri më 21 mars, viti i ri kurd, PKK-ja të njoftojë një armëpushim të përhershëm dhe çarmatosjen. Vëzhguesit paralajmërojnë se me klimën e tanishme të mosbesimit, kjo nuk ka të ngjarë të ndodhë dhe me zgjedhjet e përgjithshme në qershor tensionet politike pritet të shtohen edhe më tej. ((SIGNED))

Trego komentet

XS
SM
MD
LG