Lidhje

Turqi, reagimet ndaj fushatës ushtarake


NATO shprehu të martën mbështetje të fortë për Turqinë, në përpjekjet e saj kundër terrorizmit. Por reagimet në Turqi ndaj strategjisë së Ankarasë për të luftuar si kundër Shtetit Islamik ashtu edhe kundër forcave kurde të PKK janë të ndryshme. Disa banorë të rajonit reaguan ndaj fushatës së ushtrisë turke.

Ofensiva ushtarake e Turqisë ka në shënjestër pozicionet e Shtetit Islamik në Siri, përtej kufirit turk si dhe pozicionet e rebelëve kurdë të PKK-së në Turqi dhe Irak.

Disa banorë të qytetit turk, Karkamis, që ndodhet afër territoreve të kontrolluara nga Shteti Islamik, e mirëpritën fushatën turke.

"Unë besoj se operacioni ishte i nevojshëm. Njerëzit që jetojnë përgjatë kufirit janë të shqetësuar. Ne nuk mund të bëjmë gjumë natën për shkak të zhurmës së avionëve dhe shpërthimeve përtej kufirit. Fëmijët tanë janë të frikësuar", thotë ky banor i Karkamisit.

"Ne mbështesim ndërhyrjen turke, dhe shpresojmë se ajo do të sjellë stabilitet", thotë një banor tjetër i këtij qyteti.

Por ofensiva tjetër turke, kundër rebelëve kurdë të PKK-së, të cilët cilësohen si terroristë nga Turqia dhe NATO-ja, ka alarmuar disa civilë irakianë.

"Furnizimi me ujë për fshatin është ndërprerë. Ata kanë shkatërruar tubacionet dhe çdo gjë këtu. Njerëzit janë viktima të sulmeve. Ata (qeveria turke) duhet ta kuptojnë se ky është thjeshtë vetëm një fshat. Ky nuk është një pozicion i PKK-së. Këtu jetojnë civilë të pafajshëm", thotë një kurd nga Iraku.

Në qytetin Sergeli të Irakut, banorët thonë se shumica e tyre mbështesin fushatën e Turqisë kundër Shtetit Islamik.

"Shumica e burrave të fshatit janë pjesë e milicisë Peshmerga që po luftojnë kundër Shtetit Islamik. Përveç përqëndrimit në luftën kundër Shtetit Islamik, tani ata duhet të mendojnë edhe për sigurinë e familjeve të tyre. Nuk dimë çfarë të bëjmë", thotë ky banor kurd i Sergelit.

Kjo betejë e re, në një rajon tashmë të prekur nga lufta, po tensionon edhe më tej marrëdhëniet mes qeverisë turke dhe kurdëve.

(Materiali është përgatitur nga gazetarët e shërbimit turk të Zërit të Amerikës, Tan Cetin në Karkamis të Turqisë dhe Ahmad Zebari, në qytetin Sergeli të Irakut.)

XS
SM
MD
LG