Lidhje

Reagime ndaj masave turke kundër medias


Qeveria turke ka mbajtur një qëndrim sfidues ndaj kritikave brenda dhe jashtë vendit për masat ndaj medias opozitare. Bashkimi Evropian shprehu dje indinjatën pasi presidenti Recep Tayyip Erdogan reagoi ashpër ndaj kritikave për veprimet e qeverisë së tij. Aplikimi i Turqisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian ka ngecur, ndërsa kritikët e akuzojnë anëtaren e NATO-s për një regjim gjithnjë e më shumë autoritar.

Protestuesit u mblodhën para stacionit të policisë në Stamboll dje me tabela ku dënoheshin aksionet e policisë ndaj gazetës Zaman dhe stacionit televiziv Samanyolu dhe arrestimit të gazetarëve dhe redaktorëve të tyre. Bashkimi Evropian i dënoi këto veprime si “të papajtueshme me lirinë e medias”.

Presidenti Erdogan reagoi ndaj kritikëve të Bashkimit Evropian. Në një fjalim në televizion në një qytet perëndimor të vendit, ai tha se organizata me 28 anëtarë duhet “të shohë punën e vet”.

“Kur marrim këto vendime, nuk ka rëndësi për ne se çfarë thotë Bashkimi Evropian, nëse e pranon ose jo. Nuk ka rëndësi për ne”.

Shefja e Politikës së Jashtme e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini thotë se u befasua me reagimin e zotit Erdogan. Turqia është anëtare e NATO-s që shpreson të bëhet kandidate e Bashkimit Evropian.

“I pashë reagimet e Presidentit Erdogan dhe më befasuan, sepse kur u takuam para disa ditësh, diskutuam në mënyrë shumë konstruktive”.

Ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier tha se veprimet e Turqisë janë “shumë shqetësuese”.

Mbi 20 gazetarë vazhdojnë të jenë të ndaluar pas masave të së dielës, afro një vit pasi media e opozitës e akuzoi qeverinë për korrupsion. Turqia mohon të ketë ndërmarrë masa përndjekjeje politike dhe pretendon se arrestimet ishin bërë në lidhje me një komplot për të përmbysur qeverinë.

“Ky është një proces ligjor, jo i influencuar nga politika. Ky proces nuk filloi me urdhër të qeverisë ose ndonjë anëtar të kabinetit”.

Vitin e kaluar, Turqia u kritikua për përdorimin e forcës së tepruar për shpërndarjen e protestave masive anti-qeveritare. Muajt e fundit, janë vënë re masa kundër kundërshtarëve të dyshuar në forcën e policisë. Ky është operacioni i parë madhor kundër organeve të medias.

“Këto ishin organet e vetme anti-qeveritare të medias. Ishin ndoshta miliona vetë që po shpreheshin përmes këtyre mediave. Regjimi autokrat, i kontrolluar nga një person po përpiqet t’i ndalojë edhe ato, por njerëzit nuk kanë ndërmend ta lejojnë një gjë të tillë”.

Disa analistë thonë se në Turqi ka pasur prej kohësh mangësi në lirinë e medias.

“Turqia është në vend të 154 mes 180 vendeve përsa i takon lirisë së shtypit, sipas Gazetarëve pa Kufij. Është një situatë shqetësuese që vazhdon prej pothuajse 10 vjetësh”.

Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar Turqisë të mos cënojë vlerat demokratike bazë, të mishëruara në kushtetutën e saj.

XS
SM
MD
LG