Lidhje

Xhamitë e Turqisë në botë


Gjatë vizitës së tij në Kubë në janar, presidenti Erdogan kërkoi që Turqia të lejohet të ndërtojë një xhami në Havanë. Turqia po ndërton ndërkohë 18 xhami të mëdha në mbarë globin, përshi një në Tiranë ku mund të falen më shumë se 4 mijë besimtarë. Xhami do të ndërtohen gjithashtu në Shtetet e Bashkuara, Rusi, Kazakistan, Filipine, Britani, territoret palestineze dhe Somali.

Projekti i ndërtimit të xhamive është një strategji më e gjerë e presidentit turk, sipas Asli Aydintasbas, analist politik me gazetën turke Milliyet.

"Erdogani kujdeset shumë për trashgiminë e tij historike dhe globale. Kjo është e ndërlidhur në mendjen e tij me përpjekjet për të përparuar islamin. Në shumë mënyra ai do që të mbahet mend, si brenda edhe jashtë vendit, si një njeri që ka avancuar interesat e myslimanëve në mbarë botën. Pra ai kujdeset shumë për projektin e ndërtimit të xhamive, në shumë vende të botës."

Ekspertët thonë se ai ka aspirata më të mëdha pas kësaj strategjie. Kthimi i Turqisë në lavditë e shkuara të periudhës otomane është një temë e përbashkët e Erdoganit dhe partisë së tij AK, sipas Yuksel Taskin, ekspert në universitetin Marmara të Stambollit.

"Partia AK ka një fjalë të preferuar, fjalën “civilizim”, me të cilën i referohen periudhës së artë të islamit. Ata po përpiqen të krijojnë një imaxh se civilizimi i islamit do të jetë përsëri në ngjitje. Natyrisht që turqit do të jenë pararoja e kësaj rilindje. "

Diyanet, agjencia shtetërore turk që administron besimin islamik, ka parë zgjerimin e zyrave të saj në botët gjatë sundimit të Erdoganit. Së bashku me ndërtimin e xhamive, promovimi i arsimit teologjik është një element i rëndësishëm në ambicjen për ndikim më të madh ndërkombëtar, me oferta për bursa në universitetet turke dhe shkëmbimin e studentëve.

Por Turqia e gjen veten në konkurrencë me vende të tjera myslimane, veçanërisht Arabinë Saudite, e cila ka dekada që po përhap paratë e saj të naftës në botën islame. Oferta e Turqisë për xhami në Kubë pason një të ngjashme nga Arabia Saudite. Por Ballkani është rajoni kryesor për rivalitet mes Ankarasë dhe Riadit, sipar profesor Istar Gozaydin, ekspert mbi fenë dhe shtetin në Turqi.

"Veçanërisht në fillim ishte një konkurrencë, sidomos në Bosnje, me ndërtimin e xhamive dhe përpjekjet për të grumbulluar komunitete rreth tyre. Nga pikëpamja ime në një farë pike ato plotësonin punën e njëra-tjetrën. Por tani përsëri besoj se janë në garë."

Në themel të rivalitetit me Arabinë Saudite janë tensionet historike që shtrihen në të gjithë rajonin. Eksperti Taskin thotë se ka një pikëpamje të gabuar në mesin e shumë njerëzve në partinë AK në pushtet se vendet e kolonizuara dikur nga osmanët ndajnë të njëjtën pikëpamje pozitive të së kaluarës perandorake.

"Elita politike turke rreth partisë AK rrallë e kupton pakënaqësinë e njerëzve në Lindjen e Mesme që vjen nga e kaluara e tyre koloniale. "

Por vëzhguesit thonë se presidenti Erdogan mund të jetë duke përdorur gjuhën praktike për të kaluar këto pengesa. Gjithnjë e më shumë fjalimet e tij duket se u drejtohen bazës myslimane në vend dhe jashtë, dhe paraqesin populizëm të theksuar të mbuluar hollë me retorikën e fuqishme kundër perëndimit.

Analisti politik Aydintasbas thotë se presidenti sillet si të ishte tashmë udhëheqës i myslimanëve të botës.

"Në se do të ishte në dorën e njerëzve, beson Erdogani, ai do të zgjidhej udhëheqës i botës myslimane në zgjedhje të lira dhe të drejta. Këtë beson ai."

Zoti Erdogan po bën fushatë gjithnjë e më shumë kundër asaj që ai pretendon të jetë një kërcënim në rritje në perëndim i "Islamofobisë," si dhe kërkesës për një vend të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Vëzhguesit paralajmërojnë se një retorikë e tillë ka të ngjarë të vazhdojë ndërsa Ankaraja kërkon të sigurojë një rol udhëheqës në botën myslimane.

XS
SM
MD
LG