Lidhje

Turqi, Policia bllokon Sheshin Taksim


Policia në Turqi vazhdon ta mbajë të bllokuar Sheshin Taksim të Stambollit, epiqendra e protestave dy javore, dhe ka krijuar një perimetër sigurie rreth sheshit duke vendosur disa postblloqe në hyrje-daljet e tij. Ndërkohë ministri i brendshëm turk Muammer Guler sot tha se policia ushtarake është dislokuar në disa pjesë të Stambollit për të ruajtur rendin.

Shtimi i masave të sigurisë vjen ndërkohë që sindikatat tregtare turke i kanë bërë thirrje anëtarëve të marshojnë së bashku në drejtim të sheshit, në përgjigje të shtypjes së aktivistëve nga policia.

Ministri i Brendshëm i Turqisë, Muamer Guler, bëri një paralajmërim të fuqishëm për organizatorët e protestës, duke thënë se policia ushtarake është vendosur në disa pjesë të Stambollit për të ruajtur rendin.

“Policia ushtarake është përgjegjëse për zbatimit e ligjit dhe është dislokuar në disa lagje të Stambollit për të vepruar njësoj si forcat e policisë”, tha ai.

Punonjësit komunalë sot filluan pastrimin e rrugëve dhe mbishkrimeve të protestuesve, ndëkohë që autoritetet kanë rihapur një stacion treni në Sheshin Taksim që ishte mbyllur një ditë më parë pasi protestuesit u përpoqën të rigrupoheshin.

Të dielën policia rrethoi rrugët, duke vendosur postblloqe dhe përdori gaz lotsjellës dhe pompat e ujit për të shpërndarë protestuesit anti-qeveritarë.

Ndërkohë, kryeministri Rexhep Tajip Erdogan dje mbajti një fjalim para qindra mijëra mbështetësve të qeverisë.

Reputacioni ndërkombëtar i kryeministri Erdogan, i cili është vlerësuar për drejtimin e Turqisë drejt rritjes së fuqishme ekonomike ndërkohë që shumë ekonomi të tjera botërore kanë pësuar rënie, është dëmtuar nga mënyra se si qeveria e tij po e trajton këtë situatë.

Ai i ka cilësuar protestat si një komplot për të destabilizuar qeverinë e tij dhe vazhdimisht i ka dënuar njoftimet e mediave të huaja dhe mediave sociale mbi situatën.

Protestat filluan për të shprehur kundërshtimin ndaj planeve të qeverisë për shkatërrimin e parkut Gezi që ndodhet pranë sheshit Taksim, i cili tani është bllokuar nga policia. Por, një banore e Stambollit thotë se mbyllja e parkut Gezi nuk do të thotë asgjë dhe protestuesit synojnë të vazhdojnë të protestojnë në parqe të tjera.

“Ai përfaqëson lirinë dhe rezistencën. Prandaj mbyllja e tij nuk do të thotë asgjë. Njerëzit po bëjnë rezistencë. Njerëzit po thonë “mjaft më”.

Sipas një organizate turke për të drejtat e njeriut, pesë njerëz, përfshirë një polic, kanë humbur jetën dhe më shumë se 5-mijë të tjerë janë plagosur gjatë protestave mbi dy javore në Turqi.
XS
SM
MD
LG