Lidhje

Presidenti Trump uron homologun Erdogan për referendumin


Presidenti amerikan Donald Trump uroi Presidentin turk Recep Tayyip Erdogan për “fitoren e referendumit” në një votim që përfundoi me rezultat të ngushtë dhe që krijon një presidencë me komptenca të zgjeruara presidenciale, në vend të sistemit aktual parlamentar.

Shtëpia e Bardhë tha në një deklaratë se dy udhëheqësit patën një bisedë telefonike dhe se ata diskutuan ndër të tjera edhe nevojën për ta vënë para përgjegjësisë presidenti sirian Basahr al-Assad për sulmin kimik të kohëve të fundit, luftën kundër Shtetit Islamik dhe “nevojën për të bashkëpunuar kundër të gjitha grupeve që përdorin terrorizmin për të arritur synimet e tyre”.

Kundërshtarët e zotit Erdogan po kërkojnë një përsëritje të votimit për referendumin e së dielës dhe vëzhguesit ndërkombëtarë kanë vënë në pikëpyetje rregullsinë e votës.

Në një konference për shtyp të hënën në Ankara, vëzhguesit nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë tha se fushata kundër referendumit u përball me disa pengesa, përfshirë mungesën e lirisë së shprehjes, frikësime dhe mangësi në qasjen në media. OSBE-ja akuzoi gjithashtu zotin Erdogan për keqpërdorim të burimeve administrative.

Edhe vendimi i debatueshëm për të lejuar përdorimin e fletëve të votimit që nuk kishin vulë zyrtare, u kritikua.

“Bordi i Lartë i Zgjedhjeve nxorri udhëzime në momentin e fundit që ndryshuan në mënyrë të konsiderueshme kriteret e vlefshmërisë së votës, duke minuar garanci të rëndësishme dhe në kundërshtim me ligjin”, tha Cezar Florin Preda i grupit të vëzhguesve në konferencën për shtyp.

Ministria e Jashtme e Turqisë nxorri një deklaratë ku shprehej se “i vinte keq” për përfundimin e OSBE-së se referendumi nuk i plotësonte standardet ndërkombëtare. Ministria tha se e konsideronte “të papranueshëm” përfundimin dhe e akuzoi OSBE-në për “njëanshmëri politike”.

Sipas ligjit të zgjedhjeve të vitit 2010 në Turqi, të gjitha fletët e votimit duhet të kenë një vulë zyrtare, një masë që ka si synim parandalimin e fletëve të rreme të votimit. Forca kryesore e opozitës CHP thotë se mund të jenë përdorur deri në 1.5 milionë fletë votimi të pavulosura, një numër më i madh sesa epërsia e fitores në referendum.

CHP po kërkon tani përsëritjen e referendumit, duke thënë se kjo do të ishte e vetmja mënyrë që do t’i jepte fundit debatit për legjitimitetin e tij.

Kryeministri Binali Yildirim I hodhi poshtë ankesat e opozitës duke thënë se opozita “nuk duhet të flasë pasi ka folur populli”.

Në Stamboll, Ankara dhe qytete të tjera u mbajtën disa protesta lifhur me mënyrën si u zhvillua votimi.

E vetmja mënyrë ligjore që ka CHP për të sfiduar votën është të depozitojë një ankesë tek Bordi i Lartë i Zgjedhjeve, i cili mori vendimin për të përdorur votat e pavulosura.

Kreu i Bordit, Sadi Guven, e mbrojti me force vendimin për të lejuar fletët e debatueshme të votimit, duke përmendur si argument numrin e madh të kërkesave të debatueshme dhe duke thënë se procedura të ngjashme janë përdorur edhe në të kaluarën.

Kritikët theksojnë se përdorimi i mëparshëm i fletëve të votimit ishte bërë para ligjit aktual që e ndalon një gjë të tillë. Guven tha se nuk e dinte se sa fletë të tilla votimi ishin përdorur dhe e pranoi se e kishte marrë vendimin pasi ishte konsultuar me partinë AK në pushtet.

Shumë nga votat mendohet se janë përdorur në juglindjen me shumicë kurde, ku ka forca të rrepta sigurie për shkak të luftimeve të vazhdueshme kundër grupit kryengritës kurd PKK. Vëzhguesit thanë se aktivistët kundër referendumit nuk u lejuan të vëzhgonin shume nga qendrat e votimit. OSBE-ja tha se edhe vëzhguesit e saj u përballen me kufizime.

Megjithëse OSBE-ja nuk ka pranuar të komentojë nëse problemet dhe vështirësitë që ajo nxorri në pah, ndikuan në rezultatin e votimit, vlerësimi i organizatës ka gjasa t’i jape krahë opozitës dhe të shtojë shqetësimet ndërkombëtare.

“Politikanët evropianë do t’I referohen OSBE-së; edhe Amerikanët kanë thënë se do të presin për raportin e OSBE-së para se të komentojnë për referendumin”, thotë analisti poliitk Semih Idiz i faqes “Al Monitor”.

“Kjo shkakton shqetësim për zotin Erdogan por ai do të përpiqet ta kthejë gjendjen në avantazhin e tij, duke thënë se perëndimi po u kthehet dredhive të vjetra”.

Gjatë gjithë fushatës, zoti Erdogan përdori kartën nacionaliste, duke i akuzuar vendet perëndimore se po konspirojnë kundër tij dhe Turqisë. Ai e quajti referendumin një fitore kundër armiqve.

Deri tani Evropa nuk ka komentuar direkt për debatin, duke zgjedhur të përqendrohet jo tek rezultati por tek thirrjet ndaj Erdoganit për t’u zgjatur dorën kundërshtarëve për të zbutur polarizimin politik. Departamenti amerikan i Shtetit i bëri thirrje presidentit Turqisë që të mbrojë të drejtat dhe liritë bazë ndërsa autoritetet punojnë për të zgjidhur çështjen e rezultateve të debatueshme.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG