Lidhje

Turqia thotë se një avion rus shkeli hapësirën e saj ajrore


Tensionet janë rritur sërish të shtunën ndërmjet Turqisë dhe Rusisë, pasi që Turqia dhe NATO-ja thanë se një avion ushtarak rus, shkeli hapësirën ajrore të Turqisë. Rusia i hodhi poshtë pohimet turke si "propagandë të pabazuar".

Ministria e Jashtme turke tha se avioni rus Su-34, hyri në hapësirën ajrore të saj në oren 11 e 45 sipas kohës lokale, megjithëse zyrtarët turq dhe të NATO-s e paralajmëruan disa herë.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, paralajmëroi Rusinë se do të përballet me "pasoja" nëse vazhdon me shkelje të tilla dhe e cilësoi veprimin si "të papërgjegjshëm". Ai foli me gazetarët në aeroportin e Stambollit para se të nisej për një udhëtim në Amerikën Latine.

Qeveria turke tha se e thirri ambasadorin rus në Ankara për të protestuar.

Në Moskë, zëdhënësi i ministrisë së Mbrojtjes, tha se "nuk ka pasur asnjë shkelje" të hapësirës ajrore turke nga avionët rus.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, e cilësoi ndërhyrjen ruse në hapësirën ajrore të Turqisë si një sjellje "të rrezikshme" dhe ripërsëriti solidaritetin e aleancës me Turqinë, një anëtare e NATO-s.

"I bëj thirrje Rusisë që të veprojë në mënyrë të përgjegjshme dhe të respektojë në tërësi hapësirën ajrore të NATO-s. Rusia duhet të ndërmarrë të gjitha veprimet e domosdoshme për t'u siguruar se shkelje të tilla të mos ndodhin sërish", tha të shtunën nëpërmjet një komunikate sekretari Stoltenberg.

Tensionet ndërmjet Rusisë dhe Turqisë u përshkallëzuan në muajin nëntor kur Turqia rrëzoi një avion rus që sipas autoriteteve turke kishte shkelur hapësirën ajrore të Turqisë afër kufirit të saj me Sirinë. Rusia kishte mohuar atëbotë njoftimet se avioni i saj kishte hyrë në hapësirën ajrore të Turqisë.

Rusia dhe Turqia janë në kundërshtim të thellë me njëra tjetrën rreth konfliktit në Siri, ku të dyja vendet po kryejnë operacione ushtarake.

Që nga shtatori, avionët rus po kryejnë sulme ajrore mbi kryengritësit sirianë duke mbështetur qeverinë e presidentit Bashar al-Assad. Turqia kërkon që Assadi të largohet nga pushteti.

Që nga viti i kaluar, avionët turq janë duke goditur militantët e Shtetit Islamik në Siri.

XS
SM
MD
LG