Lidhje

Turqia po e kthen trupin e pilotit të vrarë rus


Turqia po e kthen trupin e pilotit që vdiq pas rrëzimit të avionit rus që u qëllua me raketë nga forcat turke. Ministri i Jashtëm turk Ahmet Davutoglu tha se trupi u mor të Turqi të shtunën dhe u trajtua sipas traditës orthodokse. Piloti tjetër që ndodhej në avion, i cili doli gjithashtu me parashutë, mundi të shpëtohej. Gjesti i kthimit të trupit të pilotit ndodh ndërsa gjendja e tensionuar tashmë mes Rusisë dhe Turqisë duket se po keqësohet më tej.

Presidenti rus Vladimir Putin ka vendosur sanksione ekonomike ndaj Turqisë, disa ditë pasi Turqia qëlloi me rakerë, duke rrëzuar avionin luftarak rus, pranë kufirit mes Turqisë dhe Sirisë.

Zoti Putin nënshkroi të shtunën një dekret, që vendoste sanksione ndaj importit të disa produkteve turke, si dhe pezullimin e rinovimit të kontratave për turqit që punojnë në Rusi.

Por analisti Ahmet Kasim Han thotë se sansionet nuk do të zgjasin shumë:

"Varësia e ndërsjellë mes të dy vendeve është shumë e thellë, prandaj, unë besoj se sanksionet nuk do të zgjasin. Pasi tensioni politik të qetësohet, mendoj se sanksionet do të hiqen.”

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan shprehu të shtunën keqardhje për rrëzimin e avionit rus, duke thënë se vendi i tij ndjente dëshpërim të thellë për këtë incident dhe do të dëshironte që ai të mos kishte ndodhur.

Por fakti që Turqia nuk kërkoi ndjesë në mënyrë të drejtpërdrejtë, duket se e ka zemëruar Rusinë.

"Përsa kohë që nuk shkelen të drejtat tona sovrane, lufta jonë do të vazhdojë përmes kanaleve diplomatike, duke respektuar ligjet dhe marrëveshjet ndërkombëtare.”

Zoti Erdogan tha në një konferencë shtypi se ai shpreson që tensionet mes Turqisë dhe Rusisë të mos shkallëzohen, duke çuar në pasoja ekstreme.

Presidenti turk, po ashtu përsëriti kërkesën për një takim ballë për ballë me zoti Putin në Paris, ku të hënën fillon Takimi Global për Klimën.

Presidenti rus Putin nuk ka dhënë ende përgjigje pozitive për zhvillimin e bisedimeve.

XS
SM
MD
LG