Lidhje

Turqi, pas dështimit të puçit mbyllen shkolla dhe organizata


Në Turqi, janë mbyllur më tepër se 1 mijë shkolla private, si dhe mbi 1 mijë shoqata dhe fondacione, ndërsa Presidenti Recep Tayyip Erdogan bëri të njohur dekretin e parë, pasi deklaroi gjendjen e jashtëzakonshme për tre muaj.

Pas dështimit të grushtit shteti të javës së kaluar që synonte rrëzimin e tij nga pushteti, President Erdogan po ashtu urdhëroi që të dyshuarit mund të mbahen të ndaluar për deri 30 ditë, pa qenë e nevojshme të ngrihen akuza ndaj tyre. Ky është një ndryshim i madh nga ligji i mëparshëm, kur të ndaluarit mund të ndaloheshin për maksimumin 4 ditë.

Mes 1,229 organizatave të bamirësisë dhe fondacioneve që u mbyllën nën dyshimet për lidhje me lëvizjen e rivalit të zotit Erdogan, Fethullah Gulenit, janë 19 grupe sindikaliste, 15 universitete dhe 35 institucione mjekësore.

Erdogan ka fajësuar klerikun mysliman Gulen me banim në Shtetet e Bashkuara për përpjekjen për grusht shteti, por ai i ka mohuar këto akuza.

Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme për tre muaj shihet nga grupet e të drejtave të njeriut dhe udhëheqës botërorë si një mënyrë për spastrimin e kundërshtarëve të zotit Erdogan. Kjo gjendje i lejon presidentit dhe qeverisë të miratojnë ligje pa nevojën e votimti të tyre në Parlament.

Numri i të arresuarve pas përpjekjes për grusht shteti ka arritur në 9 mijë vetë, mes tyre 6 mijë janë ushtarakë. Rreth 50 mijë zyrtarë, mes tyre gjykatës dhe akademikë janë pushuar nga puna, ose janë urdhëruar të japin dorëheqjen.

XS
SM
MD
LG