Lidhje

Trafikantët ofrojnë kalim nga Turqia në Siri


Trafikantët në Turqi ofrojnë kalimin për në Siri me çmim të lirë. Ankaraja ka shtuar përpjekjet për të penguar kalimin e luftëtarëve të huaj të cilët duan t'u bashkohen militantëve të Shtetit Islamik që luftojnë për kontrollin e qytetit sirian Kobani në kufi me Turqinë. Por kufijtë e dobët dhe rojet e korruptueshme e bëjnë edhe më të lehtë kalimin e paligjshëm të kufirit.

Tanket turke partullojnë kufirin e gjatë me Sirinë, por me largimin e tyre nuk është e vështirë të kalosh përmes telave me gjemba, sikurse këta dy persona që kalojnë në Turqi nga ana siriane. Qyteti kurd në Siri, Kobani, i rrethuar nga forcat e Shtetit Islamik, duket qartë përmes kufirit të pamonitoruar.

Kalimi kufitar Oncupinar, një orë larg nga qyteti sirian Aleppo, gumëzhin nga njerëzit që përpiqen të kalojnë në një prej rajoneve më të dhunëshme në botë. Shumë prej tyre janë kurdë të Turqisë, që duan të ndihmojnë vëllezërit sirianë, por edhe ata që duan t'u bashkohen militantëve e gjejnë shtegun e kalimit.

Një ish trafikant i quajtur Mustafa, thotë se kushdo mund të vijë nga Turqia dhe të shkojë atje. Ai thotë se nuk kushton më shumë se 20 dollarë për dikë që dëshiron të futet ilegalisht në Siri:

“Procesi i trafikimit është thuajse i hapur në kufi. Kushdo mund të kalojë me lehtësi. Ka më shumë se 25 trafikantë që merren me këtë.”

Ai foli me Associated Press me kusht që të mos identifikohet nga frika e arrestimit ose e hakmarrjes nga kriminelët dhe militantët. Ai tha se shumica e atyre që duan të kalojnë janë turq apo sirianë, por ka edhe të huaj:

“Në shtator kam parë tre të huaj që flisnin anglisht me theks amerikan. Më thanë se donin të shkonin në rajonin që kontrollohet nga grupi Shteti Islamik. U thashë të shkonin në kampin e refugjatëve Kilis 15 kilomentra më tutje dhe të kalonin nga aty. Më ofruan para që t’i çoja atje por nuk erdhën në takim.”

Edhe trafikantë të tjerë i konfirmuan fjalët e tij për një zonë kalimi të Shtetit Islamik pranë kampit të refugjatëve në Kilis dhe thanë se ishte edhe një tjetër pranë qytetit sirian, Jarablus. Qeveria turke ka shtuar sigurinë kufitare por zyrtarët në Ankara thonë se është e pamundur eliminimi tërësisht i kalimeve të paligjshme:

“Masat e tanishme mund të ulin të gjitha aktivitetet. Por është e pamundur ulja në zero. Megjithatë masat mendoj se kanë efekt.” - thotë Xhemaledin Hasmi, këshilltar i kryeministrit turk.

Trafikantët thonë se shtrengimi i masave nga ana e qeverisë gjatë vitit të fundit e ka bërë punën e tyre më të rrezikshme. Por kufiri mbetet i dobët si rezultat i njohjeve që ata kanë për zonën kufitare dhe korruptimit të rojeve.

XS
SM
MD
LG