Lidhje

Turqia fillon ndërtimin e një muri kufitar


Përgjatë kufirit jugor të Turqisë është duke u ngritur një mur me blloqe të mëdha betoni. Me këtë mur Turqia kërkon të ndalojë lëvizjen e xhihadistëve që shkojnë për t’iu bashkuar grupit Shteti Islamik në Siri.

Sulmet e javës së kaluar në aeroportin ndërkombëtar të Stambollit ishin një goditje e rëndë ndaj përpjekjeve të Turqisë për të ndalur fluksin e luftëtarëve ekstremistë, të cilët mendohet se i kryen sulmet si hakmarrje për mbylljen e kufirit dhe për mbështetjen e Turqisë ndaj rebelëve sirianë që luftojnë për rimarrjen e territorit të kontrolluar nga Shteti Islamik.

Kufiri me gjatësi prej 911 kilometrash ka qenë jetik për rekrutimin e luftëtarëve të rinj ekstremistë. Sipas vlerësimeve të CIA-s, Shteti Islamik pati në vitin 2014 rreth 30 mijë luftëtarë, gjysma e të cilëve ishin të huaj. Pjesa më e madhe këtyre luftëtarëve të huaj mendohet se kanë hyrë nëpërmjet Turqisë.

Agjencia e lajmeve Associated Press publikoi të dhënat e një sërë “dokumentash hyrjeje” të Shtetit Islamik, sipas të cilave 25% - 40% e gjithë luftëtarëve të huaj rezultojnë të kenë hyrë nëpërmjet Turqisë, kufiri i të cilës ka qenë jetik edhe për opozitën siriane, si dhe për 2.75 milionë refugjatë që hynë në Turqi.

Një kontrabandist sirian foli në anonimitet për lëvizjen e lirë të luftëtarëve të Shtetit Islamik përgjatë kufirit.

“Në përgjithësi luftëtarët e Daesh kanë udhëtuar së bashku me popullsinë. Nëse do t’i shikonit nuk do t’i dallonit nga civilët. Kalimi i kufirit ishte shumë i lehtë, pasi nuk kishte kontroll.”

Zyrtarët turq thonë se Ankaraja nuk ka lejuar me vetëdije kalimin e xhihadistëve për në Siri dhe se Turqia ka arrestuar dhe deportuar rreth 3250 luftëtarë që nga viti 2011. Ata gjithashtu ankohen se vendet e Bashkimit Evropian nuk patën ndarë informacion për xhihadistët e dyshuar, një pjesë e mirë e të cilëve kalojnë disa kufij para se të mbërrijnë në Turqi.

Dokumentat e kalimit kufitar tregojnë se xhihadistët janë nga e gjithë bota, përfshirë Evropën, Afrikën e Veriut, Lindjen e Mesme, Kaukazin dhe Azinë Jugore.

Sipas kontrabandistit anonim sirian, deri në muajin nëntor të vitit të kaluar, kufiri dominohej nga trafikantët e Shtetit Islamik, të cilët fusnin vetëm në fshatin e tij në Siri gati 40 njerëz çdo ditë.

“Përpara se qeveria turke të shtrëngonte kontrollin e kufirit, ishte gjithçka shumë e lehtë. Çdokush mund të kalonte lirisht, qofshin të Daesh apo civilë. Nuk kishte asnjë lloj kontrolli.”

Ai thotë se kontrabanda dhe trafiku vazhdojnë përgjatë kufirit turk, ndërkohë që nën presionin e SHBA-së dhe BE-së, Turqia po përpiqet të ushtrojë kontroll. Kur të përfundojë ndërtimi i murit rrethues, ai do të mbulojë rreth një të tretën e vijës kufitare dhe do të ketë kulla vrojtimi dhe kamera me rreze infra të kuqe.

XS
SM
MD
LG