Lidhje

Turqi, shtohen mosmarrëveshjet politike lidhur me Sirinë

  • Dorian Jones

Policia dhe prokurorët turq janë përfshirë në një mosmarrëveshje gjithnjë e më të thellë me qeverinë, lidhur me bllokimin e armëve që mendohet se dërgohen në Siri. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Dorian Jones njofton nga Stambolli se qeveria këmbëngul se autoritetet nuk kanë juridiksion, por këto njoftime po e vendosin politikën turke për Sirinë nën një mbikqyrje politike gjithnjë e më të madhe.

Gjatë javëve të fundit, prokurorët turq kanë ndaluar disa kamionë të Forcave Turke të Zbulimit që dyshohej se transportonin armë për grupet radikale islamiste në Siri.

Analisti Sinan Ulgen, një analist në organizatën Carnegie Europe, thotë se kapja e këtyre kamionëve është një shenjë e përçarjeve në rritje brenda shtetit turk lidhur me politikën e qeverisë për Sirinë.

"Ky informacion i brendshëm ju dha prokurorit turk që vendosi ta ndalojë kamionin. Por sigurisht që është një çështje delikate dhe tregon se ndryshe nga më pare, kur mosmarrëveshjet mbeteshin në nivelin e retorikës, tani ato po ndikojnë në nivel operacional”.

Qeveria këmbëngul se kamionët po transportonin vetëm ndihma. Por partitë e opozitës e hedhin poshtë këtë pretendim, duke kërkuar të dinë përse nuk u lejua kontrolli i kamionëve.


Zëdhënësi i Partisë AK në pushtet, Huseyin Celik i denoncoi prokurorët për përpjekjet e tyre për të kontrolluar kamionin.

“Nuk i duhet askujt të dijë se çfarë ka në kamionët e Forcave të Zbulimit. Ata që dhanë urdhër për ndalimin e kamionëve do të vihen para përgjegjësisë”.

Media proqeveritare ka akuzuar përkrahësit që kleriku mysliman Fetullah Gulen ka në sistemin e drejtësisë dhe në polici, si organizatorët e kapjes së kamionëve.

Kryeministri Recep Tayyip Erdogan fajësoi simpatizantët e Gulenit për ndërmarrjen e një sërë hetimesh për korrupsion të nivelit të lartë muajin e kaluar. Zoti Gulen dhe zoti Erdogan kanë qenë dikur aleatë të ngushtë politikë, por janë distancuar nga njëri-tjetri.

Analistët vënë në dukje se aleatët perëndimorë të Turqisë janë gjithnjë e më të shqetësuar me qëndrimin e vendit ndaj grupeve islamike radikale që po luftojnë regjimin sirian. Ankaraja ka këmbëngulur vazhdimisht se mbështet vetëm Ushtrinë për Sirinë e Lirë.


Por analisti politik Cengiz Aktar i Forumit për Politika në Stamboll thotë se mbikqyrja e vazhdueshme do ta indinjojë Ankaranë.


"Është diçka që shkakton bezdi ndërsa po zhvillohen bisedimet e paqes në Zvicër dhe deklaratat turke përsa i takon mosndërhyrjes në punët e brendshme të Sirisë bëhen shumë më pak të besueshme”.


Në fjalimet e hapjes në Zvicër, ministrat e jashtëm turk dhe sirian shkëmbyen polemika lidhur me akuzat se Ankaraja po armatos grupe islamike dhe xhihadistë në Siri. Vëzhguesit thonë se edhe aleatët perëndimorë mund të kenë shqetësime të ngjashme.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG