Lidhje

Paqja sjell begati në qytetin Diyarbakiri

  • Dorian Jones

Diyarbakiri, qyteti më i madh në rajonin juglindor kurd të Turqisë, ka filluar të shijojë frytet e paqes që ka mbizotëruar gjatë pjesës më të madhe të dekadës së fundit, pas vitesh të tëra konflikti mes forcave qeveritare dhe kryengritësve kurdë. Qyteti tani po gëzon begati dhe zhvillim. Por siç njofton korrespondenti Dorian Jones nga Diyarbakiri, një numër protestash të dhunshme kohët e fundit i ka vënë në pikëpyetje këto zhvillime pozitive:

NARRATOR: Aktiviteti ndërtimor në Diyarbakir është një ndër shenjat më të dukshme se paqja mes qeverisë turke dhe kryengritësve kurdë të grupit PKK po jep fryte.

Kullat Diyar, një kompleks luksoz banimi, janë projekti i fundit i kompanisë së ndërtimit Ali Karakas.

Ali Karakas u rrit në Suedi ku ishte vendosur familja e tij për t’i shpëtuar shtypjes politike në vitet 1990. Por shpresat për paqe dhe mundësi biznesi e bënë të kthehet:

"2007-a ishte fillimi i optimizmit. Ishte një periudhë kur shteti ofroi mbështetje për ndërtime dhe kishte filluar edhe procesi i paqes. Këto sinjale na dhanë shpresë ne biznesmenëve. Diyarbakiri është treg i madh me popullatë të madhe dhe nevoja për ndërtime të reja vazhdon të rritet”.

Ndërkohë që UNESCO po shqyrton mundësinë për t’i përfshirë muret e famshme të qytetit në listën e saj të objekteve të mbrojtura të trashëgimisë kulturore, ka shpresa edhe për një zhvillim të sektorit të turizmit.

Lagja e vjetër e qytetit ka filluar të rimëkëmbet: janë hapur kafene të reja në rrugët e ngushta që dikur ishin skenë përleshjesh mes forcave qeveritare dhe kryengritësve.

Partia turke në pushtet AK thotë se me shtimin e begatisë, ulen gjasat që njerëzit të përfshihen në konflikt. Për këtë arsye, Fatma Oncu, përfaqësuese e Diyarbakirit në komitetin kombëtar AKP, thotë se zhvillimi ekonomik është një përparësi kryesore:

"Duhet të analizojmë ndikimin që kanë politikat qeveritare. Në aspektin ekonomik, ofrohen subvencione përmes politikave fiskale dhe ky rajon po trajtohet si zonë e privilegjuar. Këto politika kanë pasur ndikimin më të madh në nxitjen e rritje ekonomike”.

Por shumë banorë këtu nuk i kanë ndjerë përfitimet ekonomike nga paqja. Lagja Baglar ka shumë banorë që ishin detyruar nga forcat e sigurisë të largoheshin nga fshatrat e tyre gjatë konfliktit me grupin kurd PKK.

Organizata DTK që përfshin disa grupe pro-kurde, ka lidhje me PKK. Ajo thotë se pa nisma politike, begatia nuk do të sjellë paqe dhe stabilitet. Bashkë-kryetari i partisë Hilmi Aydogdu thotë se në thelb është çështja e identitetit dhe kulturës:

"Bëhet fjalë për mbrojtjen e të drejtave demokratike në bazë të kushtetutës. Nëse nuk përmbushen këto kërkesa, pasurimi dhe mirëqënia ekonomike nuk mund të zhdukin realitetin në rajon”.

Në tetor Diyarbakiri përjetoi një ringjallje të dhunës politike. Përleshjet lanë afro 50 të vdekur. Këto zhvillime janë shumë shqetësuese për ata që kanë investuar në qytet dhe në procesin e paqes:

"Ndërprerja e procesit të paqes do të nënkuptonte ndërprerjen e aktivitetit tonë të biznesit. Aktualisht jemi në një moment shumë pozitiv, ku njerëzit konsumojnë në një mjedis shumë të sigurtë. Ndërprerja e procesit të paqes do të nënkuptonte zhdukjen e ndjenjës së sigurisë dhe futjen e tregtisë në një rrugë të keqe”.

Diyarbakiri ishte dikur qyteti më i pasur dhe më i begatë i rajonit. Ka shpresa që një paqe e qëndrueshme do ta rikthejë në atë status. Por situata aktuale është e brishtë si për paqen ashtu edhe begatinë.

XS
SM
MD
LG