Lidhje

Turqi: Tre shqiptarë të dyshuar për sulm terrorist

  • Armand Mero

Në sulmin në provincën e Nidge-s ndaj një njësie të xhandarmërisë mbetën të vrarë dy policë dhe një civil

Autoritetet turke njoftuan sot se tre personat e arrestuar si përgjegjës për sulmin e djeshëm në provincën e Nidge-s ndaj një njësie të xhandarmërisë ku mbetën të vrarë dy policë dhe një civil, rezultojnë të jenë shqiptarë

Sipas mediave që citojnë ministrin e Brendshëm turk, dy prej të arrestuarve, të moshës 18-vjecare, me inicialet E.S. dhe E.A. ishin qytetarë shqiptarë, ndërsa 23 vjecari me inicialet C.R. ishte nga Kosova. Por në Tiranë, ministria e Brendshme mohoi që mes të arrestuarve të kishte shtetas nga Shqipëria.

Sulmi në Turqi, ndodhi gjatë ditës së djeshme në një pikë kontrolli të policisë. Të arrestuarit po udhëtonin me një taksi të marrë me qera. Sipas autoriteteve turke ata flisnin rrjedhshëm arabisht, dhe dyshohet të kenë lidhje me Sirinë e të jenë pjesë të organizatave terroriste si Shteti islamik i Irakut dhe Levantit, apo dhe Al-Kaedas.

Disa dhjetra qytetarë muslimanë nga Shqipëria besohet se janë përfshirë në luftimet në Siri. Javën që shkoi 7 persona u arrestuan pas hetimeve nga shërbimet sekrete dhe prokuroria e krimeve të rënda, të cilat zbuluan një rrjet që vepronte për rekrutimin e besimtarëve muslimanë.

Sot për të diskutuar mbi këtë cështje, presidenti Bujar Nishani thirri një takim me drejtuesin e Shërbimeve sekrete Visho Ajazi, kryeprokuorin Adriatik Llalla dhe prokurorin e Krimeve të Rënda Eugen Beci. Presidenti vlerësoi punën e kryer deri më tani nga organet kompetente ndaj fenomeneve që lidhen me organizimin, financimin dhe dërgimin e shtetasve shqiptarë për të luftuar në Siri dhe kërkoi “shpejtësi dhe cilësi në hetim dhe bashkëpunim të ngushtë me partnerët”
XS
SM
MD
LG