Lidhje

Turqia dhe pasojat e krizës së Ukrainës


Me vazhdimin e thellimi të krizës në Ukrainë, po shtohen shqetësimet në Turqinë fqinje, lidhur me pasojat ekonomike që ajo mund të ketë. Por siç njofton Korrespondenti i Zërit të Amerikës Dorian Jones nga Stambolli, Ankaraja po ashtu sheh edhe mundësira në këto momente.

Tensionet në rritje mes Ukrainës dhe Rusisë, po e venë në një pozicion përherë e më të vështirë Turqinë, për shkak të lidhjeve të ngushta politike dhe ekonomike që ajo ka me aleatët perëndimorë dhe me Moskën.

Sinan Ulgen, studjues në institutin "Carnegie” për Evropën me bazë në Bruksel, thotë se Turqia përballet me rreziqe të konsiderueshme.

"Rreziku politik dhe ekonomik po shtohet, sepse sa më tepër që Perëndimi ta ashpërsojë qëndrimin ndaj Rusisë dhe këtu flitet për sanksione, aq më e vështirë do të jetë për Turqinë të ruajë një qëndrim të balancuar me Rusinë dhe me Perëndimin."

Edhe pse Ankaraja e kritikoi aneksimin e Moskës nga Krimeja, ajo nuk ka ndjekur shembullin e aleatëve të saj perëndimorë në vendosjen e sanksioneve ekonomike ndaj Rusisë, që është tregu i gjashtë më i madh i eksporteve turke.

Në një veprim që shihet si një gjest i vullnetit të mirë nga Ankaraja ndaj Moskës, linja ajrore turke Turkish Airlines njoftoi rifillimin e fluturimeve në Krime. Ndërsa vëzhguesit thonë se Ankaraja është përpjekur të qëndrojë mënjanë, krye-ekonomisti i bankës "Finans Bank", Inan Demir, paralajmëron se Turqia nuk do të mund t'i shpëtojë rënies finananciare për shkak të krizës.

"Në se do të kemi një shkallëzim të mëtejshëm të tensioneve, atëhere ndoshta investitorët do ta shohin ndryshe Turqinë, por as ajo nuk do të jetë në favor të tregjeve të ekonomive në zhvillim. Edhe pse ekziston një fushë për kapitalin rus drejt Turqisë, mendoj se ndjenja për tregje më të mëdha të ekonomive në zhvillim do të jetë më e dobët dhe kjo do të ketë një ndikim indirekt edhe tek Turqia."

Në kushtet kur Rusia mbulon gjysmat e nevojës për gaz natyror të Turqisë, pjesa më e madhe e të cilit vjen nga tubacioni që kalon përmes Ukrainës, analistët paralajmërojnë se ekonomia e Turqisë do t'i ndjejë pasojat e krizës.

Energjia po ashtu i jep një avantazh të fuqishëm Moskës ndaj Ankarasë, sikurse ndaj pjesës së tjetër të Evropës, sipas konsulentit politik Atilla Yesilada i institutit "Global Source Partners" me bazë në Stamboll. Por Yesilada thotë se kriza në Ukrainë mund të jetë në favor të Ankarasë.

"Një mënyrë për ta disiplinuar Moskën është të krijohen alternative të tjera, që firma ruse Gazprom të mos ketë monopolin ndaj shumicës së shërbimeve të gazit natyror për Evropën dhe kjo mund të realizohet duke përshpejtuar ndërtimin e tubacionit irako-kurd drejt Turqisë dhe pastaj për ta bindur Ankaranë të ketë marrëdhënie paqësore me Qipron dhe të pajtohet me Israelin, në mënyrë që të ndërtohen tubacionet nën ujë, drejt Turqisë. "

Qipro dhe Izraeli kohët e fundit kanë zbuluar rezerva të mëdha gazi natyror dhe analistët thonë se kjo mund ta ndihmojë Evropën të ketë burime alternative furnizimi me gaz dhe ta ukë kështu varësinë nga Rusia. Por duke qenë në dijeni të përpjekjeve të Evropës për alternative të tjera, kompania ruse Gazprom po përpiqet t'i mbajë mirë marrëdhëniet me Turqinë, që është klienti i dytë më i madh i saj, pas Gjermanisë.

Zëvendësdrejtori i Gazpromit, Alexander Medvedev, zhvilloi bisedime me ministrin turk të energjisë Taner Yildiz, për ta zgjeruar bashkëpunimin mes të dy vendeve.

Ndërsa thellimi i krizës në Ukrainë përbën rrezik ekonomik ndaj Turqisë në afat të shkurtër, analistët parashikojnë se në fund të fundit, kriza mund të bëhet një katalizator, përmes të cilit Ankaraja të arrijë një qëllim të rëndësishëm strategjik, për ta bërë Turqinë një qendër rajonale energjetike.
XS
SM
MD
LG