Lidhje

SHBA shpreh shqetësim për dhunën ndaj protestuesve në Uashington


Shtetet e Bashkuara shprehën shqetësimin për dhunën e ushtruar të martën në mbrëmje jashtë ambasadës turke në Uashington. Departamenti i Shtetit lëshoi një deklaratë ku thuhej se Shtetet e Bashkuara mbështesin të drejtat e njerëzve për protestim paqësor dhe liri shprehjeje.

Ambasadori turk në Shtetet e Bashkuara, Serdar Kiliç u thirr në Departamentin e Shtetit lidhur me përplasjen e dhunshme të martën në Uashington, ku ishin të përfshirë përkrahës të presidentit turk Recep Tayyip Erdogan.

Ambasadori Kiliç u takua me Nënsekretarin e Shtetit Thomas Shannon të mërkurën, sipas një zyrtari të Departamentit të Shtetit.

Të paktën dy persona u arrestuan dhe 11 vetë u plagosën në përplasjet mes protestuesve dhe personelit turk të sigurisë. Incidenti ndodhi ndërsa presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan zhvillonte një takim me presidentin Donald Trump, në Shtëpinë e Bardhë.

Truprojat e presidentit turk Erdogan u sulën drejt protestuesve përpara ambasadës turke në Uashington, që mbërritën aty pasi protestuan më parë edhe në ambjentet jashtë Shtëpisë së Bardhë.

Protestuesit demostronin ndaj sundimit autoritar të Recep Tayyip Erdoganit si dhe masave të tij të ashpra ndaj kurdëve turq, aktivistëve të të drejtave të njeriut, gazetarëve dhe disidentëve.

Sayid Riza, një shtetas amerikan i lindur në Turqi dhe me kombësi kurde ishte ndër ata që u plagosën në përleshjet e djeshme. Ai i tha “Zërit të Amerikës” se truprojat e Erdoganit e hodhën në tokë dhe e goditën në kokë.

"Kjo nuk është e pranueshme! Ata vijnë këtu si truproja, të mbrojnë Erdoganin. Ata nuk vijnë këtu që të sulmojnë njerëzit, qytetarët e Shteteve të Bashkuara, forcat policore të Shteteve të Bashkuara”, thotë Sayid Riza, aktivist për të drejtat e njeriut.

Sipas dëshmitarëve gjatë sulmit nuk u kursyen as gra e fëmijë.

"Dikush i urdhëroi dhe ata na sulmuan. Me ne ishin të moshuar, gra, kishim fëmijë me vete dhe ata as që u shqetësuan për këtë. Pashë një vajzë të vogël të rrëzuar në tokë” thotë studentja Ceren Borazan.

Një tjetër protestuese e përshkruan kështu atë që ndodhi:

"Kam plagë në kokë, shihni gjunjët…., më përplasën në tokë, ata nisën të na godasin, ishin tre a katër burra…”.

Viktimat e këtij sulmi kërkojnë drejtësi. Në përpjekjen për të ndalur dhunën u sulmuan edhe forcat e policisë së Uashingtonit. Shefi i policisë Peter Nesham tha se është filmuar i gjithë incidenti dhe se po punohet që sulmuesit të sillen përpara drejtësisë.

"Gjëja më e rëndësishme që dua të them është se kjo nuk është diçka që ne do ta tolerojmë të ndodhë këtu, në Uashington D.C. Ky është një qytet ku njerëzit duhet të lejohen të vijnë, e të protestojnë paqësisht".

Një video e regjistruar nga “Zëri i Amerikës” tregon përpjekjet e policisë për të mbrojtur nga goditjet një grup të vogël protestuesish në krahun tjetër të rrugës përballë ambasadës. Sulmuesit refuzuan urdhrat e oficerëve të policisë për të qëndruar larg.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG