Lidhje

Rritje e ndjeshme e ksenofobisë në Turqi


Qendra e kërkimeve Pew me qendër në Shtetet e Bashkuara në një anketë të bërë kohët e fundit në Turqi ka regjistruar një rritje të ndjeshme të ksenofobisë. Gjetjet përkojnë me luftën në kufijtë e Turqisë dhe marrëdhëniet e tendosura diplomatike me disa nga fqinjët dhe aleatët e saj.

Turqia, anëtare e NATO-s dhe një vend që ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian, po përjeton një rritje të ksenofobisë sipas gjetjeve të Qendrës Kërkimore Pew me bazë në Shtetet e Bashkuara.

Gazetari Semih Idiz i gazetës turke Taraf dhe faqes së internetit Al Monitor thotë se ndjenjat kundër të huajve nuk janë të kufizuara vetëm ndaj vendeve perëndimore, të cilat kanë qenë burime tradicionale të antagonizmit në mesin e turqve.

"Kjo është pothuajse universale, 70 për qind e të anketuarve thanë se ishin anti-amerikanë, por një numër i barabartë i tyre, pra 70 për qind e anketuasve thanë se ishin anti-rusë dhe pastaj kemi gjetur se shumica e turqve janë kundër Arabisë Saudite dhe Kinës. Ata janë kundër NATO-s dhe kundër BE-së. Pra, ka një lloj reformimi kombëtar që thotë se të gjithë na urrejnë".

Ky ndryshim përkon me tendosjen e marrëdhënieve diplomatike të Turqisë me tre nga fqinjët e saj, Sirinë, Irakun dhe Iranin. Dallimet me disa nga aleatët e saj perëndimorë mbi konfliktin në Siri dhe luftën kundër Shtetit Islamik kanë shtuar ndjenjën e izolimit në mesin e turqve, sipas Cengiz Aktar, profesor i shkencave politike në Universitetin Sulejman Shah të Stambollit. Zoti Aktar thotë se qeveria po nxit armiqësinë e publikut ndaj botës.

"Qeveria është duke hedhur këtë ide të izolimit, të cilën ata e quajnë "vetmi e denjë", që është pak e ngjashme me rrugën që po ndjek Rusia. Turqia po e izolon veten, ajo ende po vazhdon përpjekjet për ta gjetur veten, por natyrisht pa sukses".

Analistët thonë se dyshimet dhe armiqësitë madje të drejtpërdrejta në botë nuk janë asgjë e re për Turqinë. Gjatë shumicës së shekullit të 20 fëmijët mësoheshin në shkolla se Turqia ishte e rrethuar nga armiqtë. Fëmijët gjithashtu janë mësuar se bashkëpunimi i vendeve perëndimore me arabët solli rënien e Perandorisë Osmane.

Studiuesi i shkencave politike, Cengiz Aktar thotë se pushtimi i Turqisë pas Luftës së Parë Botërore nga vendet evropiane, ende ka ndikim në psikologjinë e vendit.

"Kjo e ka zanafillën në fillim të shekullit të 20-të, kur Turqia u rilind nga hiri i Perandorisë Osmane dhe vendi u pushtua. Mustafa Kemal dhe miqtë e tij i dhanë fund paqartësive dhe krijuan një vend të ri. Pra, ekziston një dyshim i madh ndaj çdo gjëje që vjen nga Perëndimi, një kuptim i asaj se jemi të rrethuar nga armiqtë. Natyrisht, kjo është shumë shqetësuese".

Me afrimin e zgjedhjeve të përgjithshme që pritet të mbahen në qershor të vitit të ardhshëm, nacionalizmi ka të ngjarë të jetë në rritje dhe politikanët do të përpiqen ta shfrytëzojnë frikën e publikut, thotë gazetari Idiz.

"Është fakt se politikanët në Turqi gjithashtu po e përdorin këtë në avantazhin e tyre. Ekziston perceptimi se ata janë duke e ruajtur Turqinë nga planet e këqija nga jashtë. Erdogani vetë ringjalli imazhet që lidhen me Luftën e Parë Botërore, pra siç po e shihni këto ndjenja po shfrytëzohen në nivelin më të lartë të politikës në Turqi".

Muajin e kaluar Presidenti Recep Tayyip Erdogan tha se ndërhyrja perëndimore në rajon është e ngjashme me atë të Luftës së Parë Botërore, kur një oficer i ushtrisë britanike i njohur si Lawrence-i i Arabisë udhëhoqi një revoltë arabe ndaj perandorisë Osmane. Presidenti Erdogan paralajmëroi se Turqia po përballet me rrezikun e një Lawrence-i të ri të Arabisë.

XS
SM
MD
LG