Lidhje

Gallup: Trump, me nivel të ulët miratimi


Një anketë e re e firmës Gallup tregon se përpjekjet e Donald Trump-it për tranzicionin e presidencës në Shtetet e Bashkuara janë vlerësuar në nivel më të ulët se sa tre paraardhësit e tij gjatë së njëjtës periudhë kohe.

Amerikanët janë të ndarë njëlloj për mënyrën e trajtimit të tranzicionit në Shtëpinë e Bardhë nga Presidenti i zgjedhur: 48 për qind e të anketuarve e vlerësojnë pozitivisht atë dhe 48 për qind të tjerë nuk e miratojnë.

Presidenti Barack Obama pati miratimin e 75 për qind të të anketuarve gjatë së njëjtës periudhë në vitin 2008. Për presidentin George W. Bush pati një miratim prej 65 për qind në vitin 2000, ndërsa Bill Clinton pati një miratim prej 67 për qind në vitin 1992.

Niveli i ulët i miratimit për Presidentin e zgjedhur republikan është kryesisht për shkak të kundërshtimit të ashpër të demokratëve. Vetëm 17 për qind e demokratëve miratojnë tranzicionin e zotit Trump, një shifër kjo shumë më e ulët se sa ajo për presidentët demokratë Obama dhe Clinton nga republikanët dhe shumë më e ulët se sa mbështetja për Presidentin Bush nga demokratët.

Trump po ashtu ka një shifër miratimi shumë më të ulët se sa tre paraardhësit e tij në mesin e votuesve të pavarur.

Në se niveli i miratimit për Donald Trumpin nuk përmirësohet para Ditës së Inaugurimit, më 20 janar, ai mund të hyjë në Shtëpinë e Bardhë me miratimin më të ulët që ka patur ndonjëherë një president amerikan nga firma e anketimit Gallup, në nivelin 40 për qind. Në vitet 1980, presidentët Ronald Reagan dhe George H.W. Bush kishin miratimin e 51 për qind të të anketuarve.

Ligjvënës demokratë ngrenë shqetësime për konflikt interesi për presidentin e zgjedhur

Katër kongresmenë demokratë po i bëjnë thirrje Presidentit të zgjedhur Donald Trump të shkëpusë çdo lidhje financiare me hotelin e tij luksoz në Uashington, Trump International Hotel, sepse ai ndodhet në një ndërtesë që Trump e ka marrë me qera nga qeveria amerikane.

Në një letër dërguar Shërbimeve të Përgjithshme të Administratës, agjencia qeveritare që ka në pronësi ndërtesën dhe ja ka thënë me qera zotit Trump, katër demokratët thonë se ky transaksion do të binte në kundërshtim me rregullat e konfliktit të interesit, menjëherë sapo zoti Trump të bënte betimin më 20 janar.

Agjencia GSA i mohoi thëniet e demokratëve, përmes një deklarate që bëri menjëherë, pasi letra u bë publike, duke thënë se nuk mbante pozicion për këtë çështje.

“Ne nuk mund të mbajmë qëndrim për këtë çështje, deri në finalizimin e rrethanave të plota lidhur me bizneset që ka në pronësi Presidenti i zgjedhur dhe pasi ai të ketë filluar nga detyra,” thuhej në deklaratën e agjencisë.

XS
SM
MD
LG