Lidhje

Turqi: Akt padi kundër dy udhëheqësve të grushtshtetit të 1980-ës


Turqi: Akt padi kundër dy udhëheqësve të grushtshtetit të 1980-ës
Turqi: Akt padi kundër dy udhëheqësve të grushtshtetit të 1980-ës

Në Turqi, dy udhëheqës ende gjallë të grushtshtetit ushtarak të vitit 1980 janë akuzuar për krime kundër shtetit. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Dorian Jones njofton nga Stambolli se kjo masë shikohet si një hap i rëndësishëm i vendit për të zgjidhur një herë e përgjithmonë të kaluarën e errët të sundimit ushtarak.

Udhëheqësi i grushtshtetit, gjenerali në pension, Kenan Evren dhe bashkëpunëtori i tij, ish-komandanti i forcave ajrore, Tahsin Sahinkaya, janë paditur nga një gjykatë e Ankarasë për krime kundër shtetit.

Në sheshin Taksim në qendër të Stambollit, skenë e masakrës para grushtshtetit, ka reagime të ndryshme lidhur me akt padinë.

"Ai organizoi grushtshtetin dhe shumë njerëz u torturuan. Ai vrau shumë njerëz, prandaj duhet të gjykohet".

"Jo, jo, nuk jam dakord. Unë i mbështes veprimet e tij sepse jetova në atë kohë dhe e di mirë se ç’ndodhi".

"Qeveria duhet ta nxjerrë në gjyq sepse ai shkatërroi demokracinë. Njerëzit ende e urrejnë. Për shembull, babai im u torturua nga ushtarët e tij".

Dy gjeneralët morën pushtetin në vitin 1980 pas disa vjet trazirash politike, të cilat shkaktuan qindra të vdekur. Prokurorët thonë se shumica e trazirave u nxitën nga ushtria.

Gjatë viteve të sundimit ushtarak pas grushtit të shtetit, 50 njerëz u ekzekutuan dhe qindra mijëra u arrestuan, shumë prej tyre u torturuan. Njëri prej tyre ishte Defne Sandalye.

"U arrestova dy herë pas grushtshtetit. E kalova pjesën më të madhe të kohës në qendrën e marrjes në pyetje, e cila ishte qendër torturash. Herën e parë më mbajtën një muaj në atë qendër dhe pastaj më liruan. Pas 5 muajsh më arrestuan përsëri dhe më mbajtën 3 muaj e gjysëm në qendrën e torturave".

Akt padia kundër 2 udhëheqësve ende gjallë të grushtshtetit ngrihet në një kohë që Turqia përpiqet të mbyllë kapitullin e viteve të errta të sundimit ushtarak.

"Kjo është e rëndësishme sepse populli turk ende vuan nga një humbje e kujtesës historike, pasi nuk ndjehen të aftë për t’u ballafaquar me të kaluarën. Gjithashtu njerëzit këtu u dorëzohen me lehtësi autoriteteve. Për shumë vite, asnjeri nuk vë në pikpyetje veprimet e ushtrisë tani dhe në të kaluarën".

Gjatë sundimit të saj 10 vjeçar, Partia islamike AK është përpjekur të vinte nën kontroll ushtrinë. Në vitin 2010, u miratuan reforma kushtetuese me anë të një referendumi, që u hoqi imunitetin udhëheqësve të grushtit të shtetit.

Por koha e ngritjes së akt padisë kundër këtyre udhëheqësve ka ngjallur disa pikëpyetje. Gazetari i çështjeve politike, Kadri Gurcel i gazetës turke Milliyet e mbështet akt padinë.

"Ata duhet të gjykohen sepse kryen krime, që nuk mund të justifikohen. Megjithatë, unë e shikoj këtë vendim thjesht si një hap taktik për të shmangur disktutimin, i cili do të ndryshonte edhe shumë gjëra të tjera".

Qeveria turke po përballet me kritika në vend dhe nga komuniteti ndërkombëtar lidhur me gjendjen e të drejtave të njeriut. Bashkimi Evropian ka kritikuar ashpër gjendjen e të drejtave të njeriut në Turqi si dhe sistemin juridik të atij vendi. Eliminimi i rolit të ushtrisë në politikat e vendit është një prej objektivave kryesore të qeverisë për të përmirësuar imazhin rreth gjendjes së të drejtave të njeriut në Turqi, ndërsa vendi përpiqet të sigurojë anëtarësimin në BE.

Studiuesi politik Cengiz Aktar në Universitetin Bahcesehir thotë se cilado qofshin motivet e akt padisë, gjykimi i udhëheqësve të grushtshtetit vazhdon të jetë një hap i rëndësishëm për demokracinë e Turqisë.

"Akt padia është simbolike, por edhe shumë e rëndësishme. Zoti Evren, që organizoi dhe udhëhoqi juntën, bëri deri më tani një jetë shumë të mirë në rivierën turke. Mendoj se ai duhet të paguajë për krimet që kreu, sepse grushtshteti i 1980-ës e dëmtoi shumë demokracinë në këtë vend, madje ne ende jetojmë pasojat e atij grushtshteti".

Prokurorët kanë kërkuar burgim të përjetëshëm për dy udhëheqësit e grushtshtetit: Kenan Evren, i cili është 94 vjeç dhe Tahsin Sahinkaya 86 vjeç. Viktimat e sundimit ushtarak kanë shpresë se personat përgjegjës do të vuajnë për krimet e tyre, diçka që vetëm para pak vjetësh ishte e paimagjinueshme.

XS
SM
MD
LG