Lidhje

Terrorizmi: Turqia arreston 5 shtetas të Maqedonisë

  • Isak Ramadani

Mitko Cavkov

Mitko Cavkov

Në Turqi janë arrestuar pesë shtetas të Maqedonisë të dyshuar si pjesëtarë të Shtetit Islamik. Ministri maqedonas i Punëve të Brendshme, Mitko Çavkov, u tha mjeteve të informimit në Shkup se në kuadër të operacionit të koduar “Celula 3”, policia turke kishte arrestuar të dyshuarit dhe se dy prej tyre, gjatë përpjekjes për t’u arratisur kishin marrë lëndime serioze.

Sipas ministrit maqedonas, personat ishin nxitur më parë dhe organizuar nga shtetas të Maqedonisë, xhihadistë, të cilët një periudhë më të gjatë kishin qëndruar në Siri, ndërsa të dyshuarit kishin shkuar në Turqi me synimin për t’iu bashkuar radhëve të muxhahedinëve në Siri. Autoritetet në Shkup nuk kanë njoftuar identitetin e këtyre personave, as hollësi të tjera, por kanë bërë të ditur se tre prej tyre ishin nga Kumanova dhe dy nga Shkupi. Ata janë ekstraduar në Maqedoni ku u është caktuar masa e paraburgimit.

Në Siri vlerësohet se kanë shkuar disa dhjetra persona, kryesisht shqiptarë nga Maqedonia për t’iu bashkuar njësiteve të Shtetit Islamik. Disa prej tyre kanë humbur jetën në betejat e atjeshme ose në rrethana të tjera. Maqedonia ka miratuar një ligj që sanksionon pjesëmarrjen e shtetasve të saj në konfliktet e huaja. Megjithatë, asnjëherë nuk është dhënë ndonjë shifër e saktë se sa është numri i atyre që kanë shkuar në Siri apo që janë kthyer.

XS
SM
MD
LG