Lidhje

Turqia e pakënaqur nga mospranimi në BE


E pakënaqur nga mos-suksesi i përpjekjes së saj për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, Turqia, vend anëtar i NATO-s, nënshkroi kohët e fundit dokumentin si vend partner me Organizatën e Bashkëpunimit të Shangait, blloku i sigurisë i dominuar nga Kina dhe Rusia që përfshin shtetet e Azisë Qendrore. Por, siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Dorian Jones nga Stambolli, Ankaraja vazhdon të ketë disa mosmarrëveshje me Kinën dhe me Rusinë, të cilat duhet të sheshohen:

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Ahmet Davotoglu, tha se nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit është një ditë historike për vendin e tij, duke thënë se Turqia është shteti i parë i NATO-s që vendos një marrëdhënie të tillë me Organizatën e Bashkëpunimit të Shangait. “Në se e shohim këtë nga perspektiva e Luftës së Ftohtë, tha ai, këto mund të duken si institucione ekskluzive reciproke. Megjithatë, Lufta e Ftohtë ka marrë fund. Turqia nuk do të jetë një skllave e logjikës së Luftës së Ftohtë”, - tha ministri turk.

Shtetet e Bashkuara kanë vënë në pikëpyetje çështjen në se Turqia mund të bëhet përveç NATO-s, anëtare e një Organizate të Sigurisë, si ajo e Shangait. Por Ministri i Jashtëm turk argumenton se një anëtarësim i tillë i dyfishtë është i mundur tani që Moska dhe Pekini nuk konsiderohen më armiq nga NATO.

Semih Idiz, gazetar për çështje të diplomacisë, në gazetën turke “Taraf”, thotë se Ankaraja tërhiqet nga Organizatën e Bashkëpunimit të Shangait, sepse ajo ka vlera kulturore me disa vende anëtare të saj.

"Disa anëtarë janë me origjinë turke dhe një prej tyre, Taxhikistani, është me origjinë farsi, por megjithatë, është me shumicë islamike. Dhe fakti që kanë vlera të përbashkëta kulturore në këtë grup, i bën njerëzit të besojnë se ky është një entitet islamik, ose islamik turk".

Kina, Rusia dhe katër vende të Azisë Qendore, Kazakistani, Kirgistani, Taxhikistani dhe Uzbekistani, e formuan Organizatën e Bashkëpunimit të Shangait në vitin 2001, si një bllok të sigurisë rajonale, për të luftuar kërcënimin që paraqet islami radikal dhe trafikimi i drogës nga Afganistani fqinj.

Sinan Ulgen, studjues në grupin “Carnegie Europe”, thotë se nënshkrimi i marrëveshjes nga Ankaraja me organizatën e Shangait, synon t’i çojë një mesazh Bashkimit Evropian.

“Me këtë veprim, Turqia synon t’u dërgojë një paralajmërim vendeve anëtare të BE-së që vazhdojnë të mbështesin politika penguese lidhur me perspektivën e pranimit në BE të vendeve të ndryshme. Arsyeja e dytë është se Turqia do të tregojë se tani jo vetëm që është bërë një fuqi rajonale, por edhe një aktor global.”

Kryeministri turk Taip Erdogan e ka cilësuar vonesën në anëtarësimin e Turqisë në BE, si të pafalshme dhe e ka akuzuar Brukselin se nuk ka qenë një partner negociues i drejtë, apo i sinqertë.

Gazetari Idiz thotë se po ashtu ka disa kufizime lidhur me çështjen se sa e afërt është marrëdhënia e Turqisë me Organizatën e Bashkëpunimit të Shangait, për shkak të mosmarrëveshjeve të rëndësishme mes dy vendeve anëtare, Rusisë dhe Kinës.=

“Ka interesa të ndryshme mes Turqisë dhe vendeve kryesore anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait, Rusia një prej tyre. Siria dhe Turqia kanë pikëpamje diametralisht të kundërta dhe ato e akuzojnë njëra tjetrën me mënyra diplomatike. Po ashtu Kina, që vetëm dy vjet më parë akuzohej për genocid kundër turqve ujgurë në provincën kineze Xinjiang, për shembull. Por këto vende mund të bien dakord për çështje tregtare dhe unë mendoj se kjo do të jetë forca shtytëse në këtë rast.”

Ankaraja ka thënë se do të vazhdojë të zhvillojë marrëdhëniet e saj me Organizatën e Bashkëpunimit të Shangait. Mënyra se si do të zhvillohet kjo marrëdhënie mund të varet nga çështja në se kërkesa e anëtarësimit për në BE do të ndodhë në momentin e përshtatshëm.

Megjithatë, vëzhguesit thonë se edhe në se ëndërra e Turqisë për në BE nuk realizohet, mundet që vendi të tërhiqë organizata të tjera, veç Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait, po të kihet parasysh ekonomia në rritje me shpjetësi e Turqisë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG