Lidhje

BE më pranë liberalizimit të vizave me Turqinë


Bashkimi Evropian ndërmori dje hapa drejt heqjes së vizave për shtetasit turq, në përpjekje për të zbutur marrëdhëniet e ngrira mes Ankarasë dhe bllokut me 28 anëtarë.

Dy palët ranë dakord të nënshkruajnë një marrëveshje që u lejon qeverive të BE-së të kthejnë imigrantët e paligjshëm që futen në Evropë nga Turqia. Në shkëmbim, BE bie dakord të fillojë diskutime zyrtare lidhur me kërkesën që të hiqen vizat për shtetasit turq që udhëtojnë drejt Evropës.

Turqia, kandidate për antarësim në Bashkimin Evropian, ndodhet në një rrugë të rëndësishme të trafikut të imigrantëve të paligjshëm nga Afrika dhe Lindja e Mesme drejt Evropës.

Por bisedimet për marrëveshjen e riatdhesimit, që parashikon kthimin e imigrantëve të paligjshëm, kishin ngecur prej vitesh pasi Turqia nuk ishte e bindur se BE do të ofrojë liberalizim vizash në shkëmbim për politikën e re.

Në një tjetër sinjal të përmirësimit të marrëdhënieve, Turqia dhe Bashkimi Evropian filluan një raund të ri bisedimesh për antarësimin në nëntor. Bisedimet ishin pezulluar nga BE-ja në shenjë proteste pas shtypjes së demonstratave anti-qeveritare në Turqi.
XS
SM
MD
LG