Lidhje

Turqi: Tensione mes kryeministrit dhe gjykatës kushtetuese


Tensionet po shtohen mes kryeministrit turk Recep Tayyip Erdogan dhe gjykatës kushtetuese të vendit. Korespondenti i Zërit të Amerikës Dorian Jones raporton nga Stambolli se vendimet më të fundit të gjykatës mund të sinjalizojnë një ballafaqim të ri politik.

Gjykata kushtetuese e Turqisë, në një sërë vendimesh të saj gjatë javëve të fundit, nuk i ka dhënë të drejtë partisë AKP në pushtet.

Gjykata e quajti të paligjshëm vendimin e qeverisë për të ndaluar median sociale Twitter dhe po ashtu hodhi poshtë ligjin që i jepte qeverisë pushtet më të madh mbi gjyqtarët dhe prokurorët.

Për kryeministrin Recep Tayyip Erdogan vendimet nuk kanë të bëjnë aq shumë me drejtësinë.

“Të gjithë duhet të dijnë kufijtë e autoritetit të tyre dhe nëse ata duan të bëjnë politikë, ata mund ta bëjnë pasi të kenë hequr petkat e drejtësisë”, thotë zoti Erdogan.
Partia kryesore opozitare Partia Republikane e Popullit, e njohur si CHP, e dënoi sulmin e kryeministrit kundër Gjykatës Kushtetuese.

Deputeti i kësaj partie dhe ish-anëtar i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Riza Turmen thotë se sistemi i drejtësisë, dega e fundit e qeverisë që mund të kontrollojë pushtetin e kryeministrit, është nën kërcënim.

“Dhe fakti se kryeministri nuk është i kënaqur me vendimet e gjykatës kushtetuese tregon se sa shumë na pëlqejnë kontrollet dhe balancat, të cilat janë të domosdoshme në çdo vend demokratik.”

Por zoti Erdogan dhe partia e tij pretendojnë se ai po mbron demokracinë, thotë analisti politik Atilla Yesilada i kompanisë Global Resource Partners.

“45 për qindëshi i AKP-së në zgjedhjet vendore, në mendjen e tij, i dha mandatin ta udhëheqë vetëm ai Turqinë. Si rrjedhojë, sipas mendimit të tij, vendimet e gjykatës kushtetuese, të cilat nuk i pëlqejnë atij, janë ndërhyrje në mandatin demokratik të Turqisë.”

Zoti Erdogan pretendon se po përballet me një komplot. Ai ka hequr mijëra policë dhe qindra gjykatës nga postet e tyre, pas fillimit të hetimeve rreth skandaleve të korrupsionit të qeverisë së tij.
Analisti politik i gazetës Milliyet Asli Aydintasbas thotë se dyshimet e AKP-së rreth gjykatës kushtetuese po shtohen sepse po afrohen zgjedhjet presidenciale të gushtit.

“Në rrethet e AKP-së, thuhet se mbase kryetari i gjykatës kushtetuese, Hasim Killic, mund të jetë një kandidat kundër zotit Erdogan në zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe paranoja e dëmton AKP-në. Kreu i gjykatës kushtetuese është një gjykatës i nderuar, ai nuk i ka sinjalizuar askujt se është i interesuar në ndonjë pozitë.”

Hulumtuesi i përkohshëm në institutin Carnegie Europe, Sinan Ulgen, thotë se mosmarrëveshjet mes zotit Erdogan dhe gjykatës mund të forcojnë demokracinë.

“Në qoftë se ata mund të zgjidhen në bazë të një marrëveshjeje të përbashkët, ajo do të mund të forconte standardet demokratike të vendit. Rreziku është se edhe anëtarët e gjykatës kushtetuese emërohen nga presidenti. Dhe në qoftë se ZOTI Erdogan bëhet president, ai më pas do të ketë një prirje për të emëruar njerëz në gjykatën kushtetuese që nuk do të sfidonin autoritetin e tij për të sunduar.”

Disa analistë politikë thotë se polemikat e gjykatës kushtetuese ka të ngjarë t’i shtojnë më shumë rëndësi zgjedhjeve të gushtit.

Për mbështetësit e qeverisë, një triumf në qendrat e votimit ofron mundësinë për të konfirmuar vullnetin demokratik të popullit; për kritikët do të shënonte kontrollin e fundit të pushtetit të zotit Erdogan.
XS
SM
MD
LG