Lidhje

Turqi: Partia e Kryeministrit Erdogan fiton një mandat të tretë

  • Dorian Xhouns

Turqi: Partia e Kryeministrit Erdogan fiton një mandat të tretë

Turqi: Partia e Kryeministrit Erdogan fiton një mandat të tretë

Në Turqi, partia në pushtet siguroi një fitore të ndjeshme në zgjedhjet e djeshme parlamentare, por jo shumicën prej 2 të tretash për të ndryshuar kushtetutën. Pas numërimit të gati të gjitha votave, televizioni shtetror njoftoi se Partia për Drejtësi dhe Zhvillim e kryeministrit Reçep Tajip Erdogan kishte fituar 50 për qind të votave. Partia Republikane e Popullit, më e madhja e opozitës, fitoi 26 për qind të votave, ndërsa Partia Nacionaliste për Veprim 13 për qind. Zoti Erdogan e cilësoi rezultatin e zgjedhjeve një fitore për demokracinë, paqen dhe stabilitetin.

Shumë votues turq mirëpritën rezultatin e zgjedhjeve parlamentare me shpresë se Tuqia do të vazhdojë të përjetojë një zhvillim të mirë ekonomik, një diplomaci të shëndoshë e ndoshta edhe ndryshimin e kushtetutës së miratuar në kohën e sundimit ushtarak. Disa banorë të Stambollit shprehën kënaqësi të veçantë rreth rezultatit të zgjedhjeve, që mbajtën në pushtet kryeministrin Erdogan.

"Nuk kam parë ndonjë gjë negative prej tij. Për mua ai është i mirë, e blej karburantin më lirë në det, çdo vit kam një përfitim të vogël prej tij dhe për këtë jam mirënjohës", tha Bolu Beji, njëri prej peshkatarëve në tregun e peshkut në Stamboll.

Edhe të tjerë shprehën të njëjtin mendim. Mësuesi në pension Ismail Firtina tha se edhe për të rezultati ishte pozitiv.

"Nuk ka udhëheqës të tjerë në Tuqi, ai është personi i duhur", tha ai, ndërsa peshkonte nga ura Galata e qytetit.

Gjithashtu duke peshkuar nga ura Galata ishte pensionisti Kasim Sakaci, i cili vuri në dukje se megjithë fitoren, partia në pushtet humbi disa vende në parlament.

"Megjithëse partia e tij fitoi më shumë vota, ajo humbi vende në parlament, nga 341 vende që kishte më parë, tani ka 325 vende".

Fitorja e 325 vendeve në parlamentin me 550 vende i jep partisë së zotit Erdogan një shumicë që siguron vazhdimin e sundimit nga një parti e vetme. Megjithatë asaj do t’i duhet mbështetja e partive të tjera për të bërë të mundur ndryshime kushtetuese. Megjithëse ka zbatuar një numër reformash demokratike, qeveria është përballur me kritika në rritje se përpiqet të konsolidojë pushtetin në dëm të shtimit të konsensusit.

Ndërkaq, përkrahësit e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim filluan festimet që herët, sapo filluan të dalin rezultatet, kur u bë e qartë se Kryeministri Reçep Tajip Erdogan do të siguronte një fitore të thellë. Partia e tij, e cila bëri fushatë duke reklamuar ekonominë e fuqishme, mori pak më shumë se 50 për qind të votave. Zoti Erdogan iu drejtua përkrahësve në selinë e partisë në Ankara, me një mesazh për të gjithë vendin:

“Kjo është një fitore për Turqinë. Kjo është fitore për demokracinë, stabilitetin dhe paqen. Kjo është fitore për të gjithë 74 milionë banorët”.

Por suksesi, thonë vëzhguesit, nuk përfaqëson epërsinë e shpresuar për zotin Erdogan. Kryeministrit i duheshin edhe 40 vende të tjera për të siguruar 2/3 e parlamentit, gjë që bën të mundur ndryshimin e kushtetutës. Kushtetuta e re ishte një ndër zotimet kryesore gjatë fushatës. Por ka shqetësime në rritje si brenda, edhe jashtë Turqisë se nëse zoti Erdogan do të kishte arritur pikësynimin e tij, ai do të kishte në duar një kontroll tepër të madh. Aktualisht, kryeministri nuk kontrollon as 330 vendet që nevojiten për të paraqitur ndryshime kushtetuese në formë referendumi.

Zoti Erdogan nuk e përmbushi objektivin e tij, pasi kandidatët e mbështetur nga Partia për Paqe dhe Demokraci me pikëpamje pro-kurde, mundën kandidatët e partisë së zotit Erdogan.

Vëzhguesit thonë se zgjedhjet shërbyen për të vënë në dukje rëndësinë në rritje të lëvizjes për të drejtat e kurdëve. Kjo çështje pritet të jetë një ndër më të rëndësishmet dhe më të nxehtat e çdo kushtetute të re.

Megjithëse kryeministri Reçep Tajip Erdogan ka një shumicë masive në parlament, atij do t’i duhet të kërkojë mbështetje nga së paku një parti tjetër për të miratuar një kushtetutë të re.

XS
SM
MD
LG