Lidhje

Retorika nacionaliste e presidentit turk


Këmbëngulja e presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan për të mbajtur zgjedhje të parakohshme vetëm disa muaj pasi votuesit i mohuan partisë së tij një shumicë parlamentare mund t’i dalë me leverdi, thonë anketuesit.

Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) e presidentit duket se po e rifiton mbështetjen e votuesve nacionalistë në prag të zgjedhjeve parlamentare të muajit të ardhshëm, falë kryesisht slloganeve të tij nacionaliste, duke përfshirë retorikën kundër Perëndimit, si dhe falë operacioneve anti-terroriste të qeverisë kundër seperatistëve kurdë.

Erdogan ka premtuar se do ta vazhdojë luftën kundër terrorizmit deri kur "të mos mbetet asnjë terrorist". Përmes përdorimit të një gjuhe të ashpër kundër kurdëve, AKP shpreson të rifitojë mbështetjen e votuesve të cilët nuk kanë votuar në qershor ose ua kanë dhënë votën partive të tjera.

Anketuesi nga Ankaraja, Mehmet Murat Pösteki thotë se analizat e tij çojnë në përfundimin se lufta e Erdoganit kundër terrorit, që ka në fokus kurdët, është "duke i hapur rrugën AKP që të rifitojë votat që në qershor i kaluan Partisë Lëvizja Nacionaliste (MHP)." Ai mendon se AKP në këtë moment i duhet vetëm një deputet më shumë për të formuar një qeveri një partiake.

Ndërkohë që kanë mbetur vetëm 11 ditë nga zgjedhjet e 1 nëntorit, Erdogan dhe zyrtarë të lartë të partisë së tij kanë intensifikuar retorikën e tyre, duke kritikuar ashpër evropianët dhe Perëndimin. Kurdët, pjesëtarët e komuniteteve tjera pakicë, të majtët dhe veprimtarët e opozitës kanë rënë në kategorinë e armikut në një politikë të polarizimit, e cila do ta bëjë shumë të vështirë krijimin e një qeverie koalicioni pas zgjedhjeve të 1 nëntorit, nëse AKP nuk arrin ta fitojë shumicën.

Në një tubim zgjedhor të javës së kaluar të titulluar "Miliona njerëz të bashkuar me një zë kundër terrorit", presidenti i Turqisë u bëri thirrje turqve që më 1 nëntor të votojnë për kandidatët "vendas".

"Unë mendoj se ju e kuptoni se çfarë dua të them, apo jo", tha ai në mitingun e klasës punëtore në distriktin Yenikapi të Stambollit. Objektivi i zotit Erdogan ishte i qartë: opozita pro-kurde, Partia Demokratike e Popullit (HDP), që i mohuan AKP-së shumicën në zgjedhjet e qershorit.

Në një raport në fillim të këtij muaji Qendra për Politkat Dypartiake në Uashington tha se nacionalizmi energjik i Erdoganit ka të ngjarë t’i sigurojë AKP 276 vendet e nevojshme për një shumicë parlamentare.

Disa anketues thonë se AKP humbi terren menjehërë pas sulmit të dyfishtë vetëvrasës në Ankara pak ditë më parë, ku u vranë 102 njerëz. Akuzat për neglizhencë qeveritare, dhe madje edhe akuzat për bashkëpunim të fshehtë me sulmuesit të ngritura nga disa udhëheqës pro-kurdë dëmtuan imazhin e partisë në mesin e votuesve të pavendosur. Por në përgjithësi plani zgjedhor i zotit Erdogan mund të funksionojë këtë rradhë.

Në qershor plani i tij nuk funskionoi. Partia nacionaliste MHP mori mbështetje nga një pjesë e votuesve tradicionalë të AKP-së dhe një pjesë e votuesve të partisë kryesore të opozitës, Partia Popullore Republikane (CHP), mbështetën partinë pro-kurde HDP duke i mohuar partisë së Erdoganit shumicën, dhe shpresën e tij për të ndryshuar kushtetutën e vendit. Sondazhet parazgjedhore nga anketuesit e kompanisë Gezici Research sugjerojnë se AKP ka humbur mbështetje të rëndësishme popullore për shkak të retorikës nacionaliste të Presidentit Erdogan.

Por pas dështimit të procesit dy-vjeçar të paqes me kurdët dhe vazhdimit të sulmeve nga separatistët në juglindje të Turqisë pavarësisht një armëpushimi për zgjedhjet i shpallur nga Partia e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), “ndjenjat anti-kurde po rriten shumë që nga zgjedhjet e 7 qershorit", thotë Lisel Hintz, profesor në Universitetin Cornell. Gjashtë ushtarë të tjerë turq u vranë në fundjavë në dy incidente të veçanta.

I pakënaqur vetëm me sulmet retorike dhe ajrore ndaj kurdëve, Erdogani dhe zyrtarë të lartë të partisë së tij kanë vazhduar kritikat ndaj Perëndimit dhe Bashkimit Evropian. Vizita në Turqi në fundjavë e kancelares gjermane Angela Merkel, e cila po përpiqet të tejkalojë një mosmarrëveshje mes Ankarasë dhe Brukselit mbi një projekt-marrëveshje mes tyre për frenimin e valës së refugjatëve nga Turqia në Evropë, është përdorur si një rast nga zoti Erdogan për të nisur disa sulme retorike të forta ndaj evropianëve.

Erdogani i akuzoi evropianët për "mungesë sinqeriteti" mbi një premtim të ri-aktivizimit të bisedimeve për antarësim në BE dhe për çështjen e liberalizimit të vizave mes BE-se dhe Turqisë. Në vend të kësaj Erdogani u duk se po kërkonte një anëtarësim të menjëhershëm të Turqisë në Bashkimin Evropian, një qëndrim jorealist i cili ka të ngjarë të armiqësojë disa politikanë evropianë, të cilët tashmë kanë thënë se Ankaraja është duke u përpjekur të përdorë krizën e refugjatëve për t’i bërë shantazh Bashkimit Evropian që të bierë dakord për lëvizjen pa viza për turqit.

Të dielën, në një intervistë për kanalin BBC, udhëheqësi i partisë HDP, Selahattin Demirtash tha se ai mbetet "i bindur se zgjedhjet e nëntorit do të jenë një përsëritje e atyre të qershorit."

Sido që të jetë, "Turqia është në një pikë kritike në historinë e saj," thotë Kati Piri, deputete e BE-së dhe anëtare e komisionit të Parlamentit Evropian për punë të jashtme. Ajo u tha gazetarëve javën e kaluar: "Një nga problemet është se Turqia është aq e polarizuar sa që ajo do të ketë nevojë për një president, i cili do të luajë rol për të bashkuar grupet e ndryshme. Unë tani shoh një president i cili është shumë i aftë për përçarjen e grupeve".

XS
SM
MD
LG