Lidhje

Shtohen tensionet midis Berlinit dhe Ankarasë


Shtohen tensionet midis Berlinit dhe Ankararë pas pretendimeve se Turqia ka përdorur klerikë myslimanë në Gjermani për të përgjuar mbështetësit e Fethullah Gulenit, klerikut që jeton në Shtetet e Bashkuara, të cilin Presidenti Recep Tayyip Erdogan e ka akuzuar si orkestrues të grushtit të dështuar të shtetit korrikun e kaluar.

Policia gjermane kontrolloi javën e kaluar shtëpitë e katër imamëve të dyshuar se kishin grumbulluar informacione për antarët e lëvizjes së Gulenit. Autoritetet thonë se klerikët spiunë në Gjermani, të paguar nga qeveria turke, janë pjesë e një rrjeti më të gjerë spiunazhi që po shtrihet në shumë vende të Europës, si Austria për shembull, duke përdorur imamët që fshihen pas fesë vetëm për të spiunuar në llogari të Ankarasë.

Një zyrtar nga prokuroria federale i tha VOA-s se nuk përjashtohet mundësia që të ketë kontrolle të tjera.

Zëvendëskryetari i Partisë Kristian Demokrate të Gjermanisë, Armin Laschet, bëri thirrje këtë javë për largimin e të gjithë imamëve që kanë lidhje me Unionin Turko-Islamik për Çështjet Fetare (UTIÇF), grupi më i madh islamik në Gjermani, i cili ka lidhje me Drejtorinë e Fesë në qeverinë turke, ndryshe Diyanet.

UTIÇF-ja tha se do të ndihmojë prokurorët federalë gjermanë, por vuri në dukje se kontrollet janë kryer në shtëpitë private të imamëve dhe se organizata vetë nuk ka qenë në shënjeshtrën e policisë.

Kontrolli i shtëpive personale të klerikëve myslimanë ka shkaktuar zemërim midis komunitetit mysliman, paralajmëroi UTIÇF –ja përmes një postimi në faqen së saj zyrtare.

Zyrtarë të shërbimit të brendshëm gjerman të zbulimit thanë se 13 hoxhë që punonin për UTIÇF-në i dërguan Diyanetit emrat e të dyshuarve si mbështetës të Gulenit. Ministri gjerman i Drejtësisë, Heiko Maas, paralajmëroi në një deklaratë pas kontrolleve se “kushdo që e përdor fenë ilsame si mburojë për spiunazh nuk mund të fshihet pas lirive dhe të drejtave fetare."

“Nëse vërtetohen dyshimet për spiunazh, organizata duhet parë, të paktën pjesërisht, si zgjatim i qeverisë turke,” shtoi ai.

Sipas prokurorëve federalë gjermanë, kontrollet e javës së kaluar në shtetet e North Rhine-Westphalia dhe Rheinland-Palatinate janë pjesë e një hetimi që nisi pas një urdhëri në muajin shtator, ku Diyanet udhëzonte imamët të ndihmonin misionet diplomatike turke me të dhëna rreth mbështetësve e simpatizantëve të Gulenit.

Në Austrinë fqinje, anëtarët e parlamentit po ngrenë gjithashtu shqetësime rreth aktivitetit të imamëve që punojnë atje, por paguhen nga Ankaraja. Deputeti i Partisë së Gjelbër, Peter Pilz, ka akuzuar qeverinë e Erdoganit se po drejton një “rrjet spiunazhi global” dhe gjithashtu shtoi se zotëron dokumente që tregojnë shtrirjen e rrjetit turk të spiunazhit në Europë dhe Azi.

Në dhjetor, qeveria turke pezulloi atasheun e saj fetar në Holandë pasi qeveria holandeze u ankua se ai siguronte informacione për ndjekësit e Gulenit nga 145 xhami.

Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, kritikoi Berlinin që lejon në Gjermani pasuesit e atij që ministri e cilësoi si “Grupi Terrorist i Gulenit”.

"Është e papranueshme që ata janë pranuar në një vend si Gjermania," u tha ai gazetarëve.

XS
SM
MD
LG