Lidhje

Valë e re pakënaqësie në Turqi


Reagime të përzjera pas dënimeve ndaj një numri oficerësh të lartë ushtarakë, politikanësh, e shkrimtarësh nën akuzat për komplot

Turqia është përfshirë përsëri nga një valë pakënaqësie, pas dënimeve që dha një gjykatës ndaj një numri oficerësh të lartë ushtarakë, politikanësh, shkrimtarësh dhe të tjerë, nën akuzat se kanë komplotuar për të përmbysur qeverinë. Mbështetësit e të 275 pandehurve thonë se vendimet gjyqësore janë pjesë e fushatës së kryeministrit Rexhep Tajip Erdogan për të eliminuar kundërshtarët.

Sot në Stamboll, reagimet ndaj vendimeve të djeshme ishin të përzjera. Disa i shikojnë ato si një rast për të thyer rrjetin e ultranacionalistëve që thuhet se kanë vepruar në prapaskenë duke mos u ndëshkuar. Të tjerë besojnë se kjo është një përpjekje e qeverisë për t'u mbyllur gojën kundërshtarëve të saj laikë dhe për të minuar traditën laike të vendit.

Dje, policia përdori gaz lotsjellës dhe makinat e ujit për të shpërndarë protestuesit, të cilët u indinjuan kur panë se rruga për të shkuar në gjykatën pranë Stambollit, ishte bllokuar nga forcat e sigurisë.

Gjenerali në pension Ilker Basbug, ish shef i forcave të armatosura të vendit, u dënua për përfshirje në komplotin e quajtur Ergenekon, emër i atdheut mitik të turqve. Ai dhe të paktën pesë oficerë të tjerë të lartë u dënuan me burgim të përjetshëm.

Anëtari i Parlamenti Akif Hamzacebi e dënoi vendimin:

"Ky është një kërcënim për ushtrinë e Republikës së Turqisë dhe është i papranueshëm.. Nëse akuzon ish-komandantin e forcave të armatosura turke si anëtar të një organizate terroriste, kjo do të thotë se ke vënë në shënjestër Ushtrinë e Republikës së Turqisë. Vendi nuk do ta pranojë këtë."

Procesi pesëvjeçar që përfshin 275 persona, e ka ndarë opinionin publik. Kritikët e akuzojnë qeverinë se po përpiqet t'u mbyllë gojën kundërshtarëve, ndërsa përkrahësit e quajnë një fitore për demokracinë, sepse e nxjerr ushtrinë në plan të dytë. Që nga viti 1960, ushtria turke ka rrëzuar katër qeveri.

Një zëdhënës i qeverisë i kërkoi dje publikut të respektojë vendimet kundër oficerëve të lartë, juristëve, shkrimtarëve dhe gazetarëve.

"Ndër ta ka shumë emra të njohur nga publiku, ka njerëz të cilët kanë shërbyer si shef shtabi në ushtri, ka rektorë dhe madje burokratë të nivelit të lartë. Por është fakt i sistemit gjyqësor se askush nuk ka privilegjin të kryejë krime. Gjykata dha vendimin më të mirë sipas saj. Ne nuk gëzohemi kur dikush arrestohet, por ka një vendim dhe ne duhet ta respektojmë".

Që prej qershorit Turqia ka qenë skenë e protestave masive, të nxitura nga vendimi i qeverisë për të kthyer një park të Stambollit në një kompleks tregtar. Shumë turq janë të shqetësuar për atë që ata e shohin si sundim gjithnjë e më autoritar të zotit Erdogan dhe Partisë së tij për Drejtësi dhe Zhvillim.

Që nga ardha në fuqi në vitin 2002, qeveria pro-islamike ka pasur marrëdhënie të tensionuara me ushtrinë e cila njihet për prirjet laike.
XS
SM
MD
LG