Lidhje

SHBA, kleriku mysliman shtrin ndikimin në Turqi


Një imam 72 - vjeçar i cili ishte akuzuar për komplot kundër qeverisë laike të Turqisë në vitet 90 besohet se ende ka ndikim të madh në vendin e tij. Njoftohet se ndjekësit e tij tani janë përfshirë në një luftë për pushtet me qeverinë aktuale islamike të Turqisë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Jerome Socolovsky vizitoi qendrën e imamit në Pensilvani.

"Kjo është ndërtesa ku banon zoti Gylen."

Alp Aslandogan është një besnik i Imamit Fethullah Gulen. Ai thotë se ne nuk mund të flasim me imamin e as të filmojmë vizitorët nga Turqia të cilët po studiojnë dhe po luten me të.

"Ai është tejet i kujdesshëm në lidhje dhënien e intervistave për mediat perëndimore, sepse njerëzve në Turqi u pëlqejnë teoritë e konspiracionit.”

I ballafaquar me protesta anti - qeveritare dhe hetime për korrupsion, kryeministri Rexhep Tajip Erdogan fajësoi ndjekësit e Imamit Gylen, të cilët thuhet se kanë ndikim brenda gjyqësorit dhe policisë në Turqi.

"Kjo është një bandë që përpiqet të imponojë pikëpamjet e saj brenda shtetit."

Kryeministri i Turqisë ka lënë të kuptohet se Fethullah Gylen fshihet pas skandaleve të fundit që synojnë rrëzimin e tij. Që nga viti 1999, zoti Gylen jeton në këtë vend-pushim në Malet Pocono të Pensilvanisë.

Kjo hapësirë përdoret për kampe verore për fëmijët turko-amerikanë dhe tani predikimet e zotit Gylen këtu publikohen në Youtube. Por, zoti Gylen i ka mohuar akuzat e kryeministrit Erdogan.

Si imam në Turqi, ai inkurajonte ndjekësit e tij që të arsimohen, dhe shumë shpejt lëvizja e tij u përhap përtej kufijve të Turqisë.

Në Nju Jork, zoti Aslandogan kryeson një nga shumë institucionet e lidhura me imamin në Shtetet e Bashkuara.

"Një nga premisat thelbësore të kësaj lëvizjeje është se nëse ne mund të jemi dakord për disa vlera të përbashkëta, ne mund të bashkëpunojmë rreth tyre, edhe në qoftë se njerëzit vijnë nga formime të ndryshme kulturore."

Mesazhi i Gylenit për tolerancë përshëndetet nga të tjerët. Profesori i Universitetit Lojola në Merilend, Joshua Hendricks, ka studiuar lëvizjen e klerikut Fethullah Gylen që nga përplasjet e saj me udhëheqjen laike të Turqisë në vitet 90. Ai thotë se një nga qëllimet kryesore të aktiviteteve të saj jashtë vendit është rimarrja e pushtetit në Turqi.

"Nëse ju kritikoheni se po veproni si një shtet paralel, se po ngjiteni në nivelet e larta të pushtetit, në përpjekje për të marrë nën kontroll dhe islamizuar republikën nga lart poshtë, është shumë e dobishme të tregoni një video të Madeleine Albright, James Baker dhe Bill Clinton, duke folur në emrin tuaj."

Në qytetin afër këtij vendpushimi, pronarja e një restoranti, Joyce McGarry nuk kishte dëgjuar për imamin Fethullah Gylen.

"Jo, nuk e njoh këtë emër dhe madje nuk di si shqiptohet."

Por pas një proteste të zhvilluar këtu disa muaj më parë, disa nga kundërshtarët e imamit u ndalën në qytet dhe i dhanë asaj literaturë që e përshkruante atë si një ekstremist.

Politika e polarizuar e Turqisë e ka ndjekur klerikun e padëshiruar deri në Amerikë, në këtë zonë të qetë ku ai shpresonte të gjente paqe.
XS
SM
MD
LG