Lidhje

Hetimi i korrupsionit në Turqi


Policia turke ka ndaluar të paktën 49 njerëz në Ankara, në kuadër të një hetimi në nivele të lartë nën akuzat për korrupsion lidhur me ryshfete në tenderat publikë. Veprimet e policisë shikohen si sfidë për autoritetin e Kryeministrit Rexhep Taip Erdogan. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Dorian Jones, njofton nga Stambolli.

Shefi i policisë së Stambollit, Husein Çapkin, u shkarkua të enjten (19 dhjetor 2013), në valën e hetimit më të madh të kryer ndonjëherë në Turqi për korrupsionin. Autoritetet kanë ndaluar djemtë e disa ministrave kryesorë, përfshirë atë të ministrit të Brendshëm, ndërkohë që janë pushuar nga puna, ose kanë dhënë dorëheqjen edhe disa zyrtartë të lartë, si dhe janë pushuar oficerë të shumtë policie. Vëzhguesit thonë se hetimet pritet të shtohen dhe parashikohet se prokurorët do të bëjnë thirrje për heqjen e imunitetit parlamentar të ministrave të implikuar.

Cengiz Aktar i Grupit të studimeve të Politikës së Stambollit thotë se hetimi është një nga më seriozët në historinë e vendit.

"Është një veprim që nuk ka ndodhor ndonjëherë më parë në këtë vend. Natyrisht, korrupsioni ka ekzistuar si kudo nëpër botë, por përmasat e tij dhe rasti i personave të implikuar është i veçantë”.

Hetimet përqendrohen në pastrimin e parave nga Irani për të shmangur sanksionet ndërkombëtare që i janë vënë Teheranit, si dhe në tenderat për kontratat e ndërtimit. Media turke ka transmetuar pamje të miliona dollarëve në kesh që janë gjetur në shtëpinë e një prej tri djemve të një prej ministrave të ndaluar, si dhe në shtëpinë e një zyrtari të lartë të bankës shtetërore Halkbank.

Por Kryeministri Rexhep Taip Erdogan pa mban një qendrim tepër të ashpër ndaj hetimit, duke e etiketuar atë si pjesë të një konspiracioni kundër qeverisë së tij.

Këto janë operacione të ndryra, tha ai. “Disa qarqe brenda dhe jashtë Turqisë po përpiqen të pengojnë rritjen e shpejtë ekonomike të Turqisë”.

Vëzhguesit thonë se kryeministri shikon pas këtyre masave një lëvizje të fortë islamike, të udhëhequr nga kleriku Fethullah Gulen. Pasuesit e Gulen-it besohet se janë persona me ndikimi të madh si në gjyqësor ashtu edhe në polici. Por Gulen, i cili ka zgjedhur të jetojë në mërgim në Shtetet e Bashkuara, i hedh poshtë akuzat. Ai ka qënë dikur mbështetës i fortë i Partisë AK, veçanërisht në përpjekjet e saj kundër ushtrisë dikur tepër të fuqishme. Por tensionet kanë qënë në ngritje gjatë 18 muajve të fundit.

Asli Aydintasbas, analist politik i gazetës turke Milliyet, thotë se Kryeministri Erdogan do të përpiqet ta përdorë luftën me përkrahësit e Gulen-it në favor të tij.

"Nuk ka asnjë dyshim se kjo është luftë për pushtet mes përkrahësve të Gulenit dhe qeverisë. Qeveria do të thotë se ky është një komplot i organizuar nga jashtë dhe se gulenistët po punojnë për intresat e huaja, të Izraelit dhe të Shteteve të Bashkuara. Erdogani gjithmonë ka përfituar duke u paraqitur si viktimë”.

Vëzhgusit thonë se qeveria do të përpiqet që hetimi nga gjyqësori të jetë për demokracinë dhe jo për korrupsonin, por analisti Aktar thotë se nëse akuzat qendrojnë, pasojat do të jenë të rënda për Partinë AK.

"Zgjedhësit e partisë në pushtet janë kryesisht masat në nevojë dhe shumat që përmenden në shtyp tani kapin miliona e miliarda dollarë që mund të kenë një efekt negativ për AK-në që po përgatitet për raundin e ardhshëm të zgjedhjeve në vitin 2014 dhe 2015”.

Turqia po hyn në ciklin 18 mujor të zgjedhjeve, së pari me zgjedhjet vendore në mars, të cilat do të pasohen me zgjedhjet presidenciale, në të cilat pritet gjerësisht që Erdogan të kandidojë, dhe në 2015 do të mbahen zgjedhjet e përgjithëshme. Hetimi për korrupsion vjen në një kohë shumë kritike për qeverinë dhe një pjesë e madhe e përkrahësve të saj thonë se kjo nuk është e rastit. Vëzhguesit thonë se aftësia e qeverisë për të bindur vendin se ky është më tepër një veprim konspirativ se sa hetim për korrupsion, mund të përcaktojë rezultatin e zgjedhjeve të ardhshme.
XS
SM
MD
LG