Lidhje

Shtypja e medias në Turqi


Shtypi turk është kritikuar fuqishëm brenda vendit dhe në botë për mënyrën se si i mbuloi trazirat politike në Turqi – mbulim që u karakterizua nga vetë-censura si pasojë e presionit qeveritar. Megjithatë, autoritetet turke janë duke vazhduar të ushtrojnë presion mbi mediat e vendit.

Sindikata e gazetarëve turq pretendon se 22 gazetarë janë pushuar nga puna lidhur me mbulimin e protestave anti-qeveritare, ndërsa 37 të tjerë janë detyruar të japin dorëheqjen.

Gazetat e ekstremit të majtë janë bastisur nga policia dhe gazetarët janë ndaluar në bazë të ligjeve anti-terrorit. Kryeministri Recep Tayyip Erdogan ka akuzuar vazhdimisht median lokale dhe ndërkombëtare se ka qënë pas kryengritjes si pjesë e një konspiracioni kundër tij dhe partisë AK në pushtet. Por, sipas Asli Aydistasbas, gazetar për rrjetin CNN në turqisht, shtypja është zgjeruar edhe tek mediat kryesore.

"Media është vënë në shënjestër nga qeveria për mbulimin e ngjarjeve. Pak javë më parë, qeveria mori nën kontroll një gazetë dhe një rrjet televiziv dhe emëroi një ish anëtar të AKP-së në parlament si kryeredaktor që ka qënë gjithashtu gazetar, por linja e gazetës ka ndryshuar dhe nëntë gazetarë janë larguar. Tani gazeta është kthyer në një tjetër burim pro-qeverisë në vetëm pak javë. Ka njerëz që kanë humbur vendet e punës në gazetat pro-qeveritare vetëm pasi bën thirrje për një qëndrim më të zbutur të qeverisë ndaj protestat në Parkun Gezi."

Protestat anti-qeveritare u nxitën nga planet e qeverisë për të ndërtuar një qendër tregëtare në Parkun Gezi. Po ashtu këtë muaj, pronarët e një reviste popullore, edicioni i fundit i së cilës i dedikohej protestave në park, e ndërprenë publikimin, duke ngritur shqetësime mbi lirinë e medias.

Si për ironi, në ditët e para të protestave pati kritika të fuqishme mbi shtypin turk, përfshi ato nga Bashkimi Evropian për dështimin e mbulimit të ngjarjeve. Një mbrëmje në kulmin e protestave, një kanal lajmesh dha një dokumentar për pinguinët duke tërhequr kritika dhe përbuzje nga shumë qytetarë turq. Protestuesit përdorin tani pinguinët si simbol.

Niveli i kritikave ishte aq i lartë sa që Kadri Gursel, një gazetar politik me të përditshmen Milliyet, pretendon se pati një efekt dramatik mbi median.

"Ishte si një shok elektrik për mediat kryesore të cilat kanë gjetur tani vullnet dhe kurajo. Ato janë përballur me klientët, lexuesit apo shikuesit. Para protestave, media kishte si objektiv vetëm kryeministrin Erdogan. Tani për herë të parë kemi sinjale inkurajuese, por nuk mund të jem shumë optimist. "

Paralajmërimi i zotit Gursel vjen pjesërisht nga fakti se shumica e mediave private në vend janë në pronësi të konglomerateve të mëdha të biznesit, interesat e të cilëve shtrihen përtej gazetarisë. Ai beson se shumë pronarë të medias janë tani të përgatitur t’u japin gazetarëve të tyre dorë të lirë për të raportuar. Por gazetari Gursel paralajmëron se ky qëndrim mund të ndryshojë.

"Qeveria ka gjithmonë mjetet e nevojshme të presionit ndaj pronarëve të mediave. Ajo kërcënon interesat e tyre ekonomike, pasi pronarët e medias kanë investime të tjera, në sektorë të tjerë të ekonomisë… dhe përfitimet varen nga vendimet dhe regullat qeveritare. "

Por profesori i shkencave politike Cengiz Aktar në universitetin Bahcesehir të Stambollit beson se media tradicionale në Turqi është diskredituar kaq shumë nga mbulimi i ngjarjeve në Parkun Gezi saqë nuk ndiqen më nga shumë qytetarë, ndërsa rëndësia e medias sociale është rritur.

"Të rinjtë nuk duan t’ja dinë për median; ata komunikojnë përmes Facebookut, Twitterit dhe formave të tjera. Ata nuk shohin televizor, nuk lexojnë gazeta, pra këto media janë të vjetëruara dhe jashtë mode për ta, nëse thonë të vërtetën ose jo.”

Përveç kritikave ndaj mediave kryesore, kryeministri Erdogan ka sulmuar gjithashtu median sociale duke e cilësuar atë si një kërcënim djallëzor ndaj shoqërisë, dhe ka premtuar të marrë vendime kundër saj. Me protestat anti-qeveritare që vazhdojnë në disa qytete, vëzhguesit paralajmërojnë se beteja ka të ngjarë të vazhdojë, si në rrugë, ashtu edhe në media.
XS
SM
MD
LG