Lidhje

Turqi, arrestime të reja pas puçit të dështuar


Forcat turke ndaluan sot 11 ushtarë të cilët dyshohet se sulmuan një hotel ku qëndronte presidenti Recep Tayyip Erdogan gjatë përpjekjeve për grusht shteti. Qeveria turke thirri gjithashtu sot të ngarkuarin me punë të Gjermanisë në Ankara, pasi një gjykatë gjermane vendosi të mos lejojë zotin Erdogan të fliste dje përmes një videokonference në një miting në Këln.

Arrestimet u bënë pranë qytetit turistik Marmaris dhe pasuan ndalimin javën e kaluar të disa ushtarëve të akuzuar se kishin si objektiv presidentin Erdogan. Presidenti ishte me pushime në Marmaris më 15 korrik kur ndodhi përpjekja për grusht shteti dhe ishte larguar nga hoteli pak para se ushtarët të sulmonin.

Arrestimet e sotme janë pjesë e një fushate kundër personave që dyshohet se luajtën rol në përpjekjen për grusht shtetit.

Të dielën qeveria liroi nga detyra gati 1,400 ushtarakë, përfshi këshilltarin e lartë ushtarak të zotit Erdogan. Presidenti i ka vendosur forcat e armatosura nën kontrollin civil.

Qeveria turke thirri gjithashtu sot të ngarkuarin me punë të Gjermanisë në Ankara, pasi një gjykatë gjermane vendosi të mos lejojë zotin Erdogan të fliste dje me lidhje satelitore në një miting në Këln, ku merrnin pjesë mijëra përkrahës të tij. Duke folur pas një mbledhjeje të kabinetit në Ankara, zëvendës kryeministri Numan Kurtulumus e quajti vendimin një shkelje të lirisë së fjalës.

“Për disa arsye të çuditshme gjykata kushtetuese gjermane vendosi brenda 24 orësh ta ndalojë presidentin tonë t’i bashkohej mitingut përmes një videokonference. Ne përgëzojmë drejtësinë gjermane por nuk është e mundur të kuptosh gjyqësorin e Gjermanisë që punoi me aq shpejtësi në këtë rast, ndërsa punon shumë ngadalë në raste të tjera. Është një standard i dyfishtë dhe i papranueshëm”, tha zëvendëskryeministri.

Më shumë se 50,000 njerëz kanë humbur vendet e punës në mbarë vendin dhe më shumë se 18,000 të tjerë janë ndaluar në lidhje me përpjekjet për grusht shteti, për të cilin qeveria fajëson klerikun Fethullah Gulen.

Gulen, kundërshtar i Erdoganit, jeton në Shtetet e Bashkuara prej gati dy dekadash dhe ka mohuar të ketë lidhje me ngjarjen. Turqia ka kërkuar ekstradimin e 75 vjeçarit Gulen dhe ka dërguar tek zyrtarët amerikanë dokumente që, sipas tyre, flasin për përfshirjen e tij në grushtin e dështuar të shtetit.

Shefi i Shtatmadhorisë amerikane, gjenerali Joseph Dunford, viziton sot Turqinë si pjesë e një turi për të vlerësuar luftën kundër grupit Shteti Islamik. Koalicioni i drejtuar nga Shtetet e Bashkuara që po kryen sulme ajrore kundër militantëve përdor bazën Incirlik në jug të Turqisë prej gati një viti.

XS
SM
MD
LG