Lidhje

Turqi, vazhdojnë protestat anti-qeveritare


Aktivistët anti-qeveritarë në Turqi janë mbledhur në disa qytete të vendit në ditën e tretë të protestave ndërkohë që kryeministri Recep Tayyip Erdogan i quajti “hajdutë” ata që kanë marrë pjesë në protestat e dhunshme. Të paktën 1 mijë e 500 protestues u përpoqën të marshonin në kryeqyetetin e vendit, Ankara, duke nxitur policinë të përdor gazin lotësjellës për të shpërndarë protestën.

Qindra aktivistë u kthyen në sheshin Taksim në Stamboll, që ishte në qendër të vëmendjes së më shumë se 90 protestave anti-qeveritare në mbarë Turqinë që u zhvilluan në dy ditët e fundit. Protestat filluan për të shprehur pakënaqësinë ndaj një vendimi të qeverisë për rindërtimin e një sheshi qëndror në Stamboll por më vonë ato u përhapën në Ankara dhe rajone të tjera kundër siç thuhet stilit autoritar të kryeministrit Recep Tayyip Erdogan.

Rrugët e kryeqytetit turk, Ankara u mbuluan nga shtëllungat e tymit të shkaktuara nga gazi lotsjellës dhe zjarri. Protestat që filluan si një organizim i vogël kundër rinovimit të një sheshi qendror të Stambollit u shndërruan në kaos ndërkohë që mijëra njerëz dolën në rrugë për të protestuar kundër qeverisë së kryeministrit Rexhep Tayyip Erdogan.

Zoti Erdogan u zotua se do të zbatojë projektin zhvillimor dhe i bëri thirrje protestuesve t’i japin fund protestave të tyre. Ministri i tij i brendshëm premtoi se do të hetohen njoftimet për dhunë policore.

“Janë ndaluar 939 persona në qytete të ndryshme. Disa prej tyre tashmë janë liruar dhe disa prej tyre janë arrestuar dhe janë në pritje të fillimit të procesit gjyqësor. Gjatë këtyre protestave u plagosën 26 policë dhe 53 qytetarë. Nëntëmbëdhjetë prej tyre janë nga Stambolli. Një nga të plagosurit është në gjendje kritike”.

Protestat janë përhapur në qytete të tjera ndërkohë që protestuesit shprehin kundërshtimin e tyre ndaj, siç thonë ata, stilit gjithnjë e më autoritar të kryeministrit Erdogan.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG