Lidhje

Dënimet për komplotin kundër qeverisë turke


Një gjykatë turke dënoi ish shefin e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë me burgim të përjetshëm nën akuzat e komplotit për rrëzimin e qeverisë islamiste të kryeministrit Rexhep Tajip Erdogan. Ilker Basbug ishte njëri prej rreth 250 të pandehurve të tjerë që përballen me vendimin e gjykatës për akuza të ngjashme. Ndërkohë, policia përdori gaz lotësjellës dhe pompat e ujit për të shpërndarë protestuesit që ishin mbledhur pranë gjykatës.

Ish shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Ilker Basbug, ishte personaliteti më i njohur ndër disa qindra të pandehur që prisnin vendimet e gjykatës. Ai u dënua me burgim të përjetshëm për rolin e tij në komplotin e quajtur "Ergenekon" për rrëzimin e qeverisë së kryeministrit Rexhep Tajip Erdogan.

Gjyqtarët dënuan edhe tre deputetë të opozitës me afate që shkojnë nga 12 deri në 35 vjet burg, ndërsa 21 të pandehurve të tjerë iu dha pafajësia.

Policia përdori gaz lotësjellës dhe pompat e ujit për të shpërndarë protestuesit që ishin mbledhur në qytetin Silivri afër Stambollit ku po jepen dënimet.

Mijëra policë ishin vendosur në disa pika të Stambollit. Ata kishin bllokuar hyrjen për në gjykatë, duke lejuar vetëm të pandehurit, avokatët dhe gazetarët.

"Masat e sigurisë janë të paligjshme dhe tepër të rrepta. Kjo flet për shtypjen e qytetarëve nga ana e qeverisë së Rexhep Tajip Erdohanit," thotë një protestues.
Mes të pandehurve ka oficerë, politikanë, akademikë dhe gazetarë.

Prokurorët thonë se grupi ka komplotuar gjithashtu për të vrarë zotin Erdohan, nobelistin Orhan Pamuk dhe figura të tjera të njohura. Të pandehurit i kanë hedhur poshtë akuzat. Avokani Nurperi Sancak thotë:

"Duket se kemi ardhur në fazën e fundit të këtij gjyqi, por gjykimi nuk ka përfunduar ende. Sepse me këto vendime, jo vetëm që do të tronditet besimi i shumë njerëzve te drejtësia por do të përçahet përsëri Turqia," thotë avokati Nurperi Sancak.

Vendimet shënojnë pikën kulmore të një procesi pesëvjeçar, i cili ka qenë në qendër të tensioneve ndërmjet elitës laike të vendit dhe partisë me orientim islamik AKP të zotit Erdohan.

Prokurorët thonë se të pandehurit janë fajtorë për nivele të ndryshme të përfshirjes në komplotin e dyshuar, ndërsa sipas kritikëve, procesi ligjor ka qenë një manovër për të frikësuar kundërshtarët dhe kritikët e qeverisë.

Komuniteti ndërkombëtar ka shprehur shqetësim rreth gjykimit. Raporti vjetor i Departamentit amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut përmend paraburgimin e zgjatur për shumë nga të pandehurit. Organizata Human Rights Watch e ka kritikuar gjithashtu çështjen, duke thënë se ka patur shqetësime serioze në lidhje me drejtësinë e gjykimit.
XS
SM
MD
LG