Lidhje

Protesta dhe ditë zie në Turqi


Mijëra njerëz u mblodhën të dielën, në qendër të Ankarasë me thirrjet kundër qeverisë turke, ndërsa vendi po mban zi për viktimat e dy shpërthimeve në një protestë paqësore ku u vranë të paktën 95 njerëz. Një pjesë e protestuesve u mblodh në vendin ku dje ndodhën shpërthimet dhe vendosën lule për viktimat.

Mijëra njerëz u mblodhën sot në Ankara për të nderuar viktimat, ndërkohë që hetuesit po përpiqen të gjejnë autorët e sulmit.

Gati 250 persona u plagosën dje nga shpërthimet jashtë një stacioni të trenit në Ankara, ku dhjetëra njerëz ishin mblidhur për një protestë paqësore.

"Ishte e tmerrshme, trupat e njerëzve ishin shpërndarë kudo. Kishte prindër, fëmijë, të rinj, gra, të moshuar. Unë jam këtu sepse kjo mund të më kishte ndodhur mua dhe familjes time. Kjo mund t’i ndodhë çdokujt. Edhe pse nuk i njoh njerëzit që kanë humbur jetën, kam ardhur këtu për t’i nderuar ata, për të përmbushur një detyrim njerëzor", - thotë protestuesja Mihriban Erdem.

"Mora pjesë në protestën kundër sulmit, për ta dënuar atë. Këto incidente po ndodhin shpesh kohët e fundit. Qeveria u drejton armën atyre që duan paqe. Unë mendoj se, qeveria sulmon pa diskriminim të gjithë ata që mbështesin paqen, si turqit ashtu edhe kurdët. Prandaj unë mendoj se qeveria është përgjegjëse, ashtu si më parë në incidentet në Suruc dhe Dijarbakir", thotë protestuesja Fatos Minas.

Analistët dyshojnë se militantët e grupi Shteti Islamik ose nacionalistët turq që kundërshtojnë Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit mund të jenë përgjegjës për sulmin. Asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan ka anuluar takimet e tij në tre ditët e ardhshme për t’u përqëndruar në sfidën e sigurisë me të cilën përballet vendi.

Presidenti amerikan Barak Obama i ofroi ngushëllime kryeministrit turk, duke u zotuar se Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë përkrah popullit turk në luftën kundër terrorizmit.

XS
SM
MD
LG