Lidhje

Turqi, problemet pas protestave


Protestat në Turqi janë shndërruar nga një lëvizje kryesisht rinore e përqëndruar në një çështje lokale në Stamboll në demonstrata që po zhvillohen në të gjithë vendin nga pjesë të ndryshme të popullsisë. Edhe mesazhi i protestave është zgjeruar.

Në qendër të Stambollit mund të shihje zjarre ndërkohë që policia dëbonte protestuesit nga sheshi Taksim, pika qendrore e protestave. Ndërhyrja i zemëroi më tepër aktivistët, të cilët kanë premtuar se nuk do të tërhiqen. Dhe ata duken se po fitojnë mbështetje edhe nga grupet e qendrës në rradhët e popullsisë, duke përfshirë një marshim proteste të avokatëve.

Kryeministri islamist i Turqisë Rexhep Tajip Erdogan i ka cilësuar protestuesit "naivë" dhe "emocionalë", duke lënë të kuptohet se ata ndikohen nga "elementë të huaj".
Por eksperti për Turqinë i Këshillit Evropian për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, Dimitar

"Është simptoma e një krize. Kjo është një pikë kthese e rëndësishme sepse një pjesë e konsiderueshme e elektoratit i ka dhënë kryeministrit kartonin e verdhë. Shumë njerëz të partisë në pushtet kanë nxjerrë mësimet e duhura. Por duke gjykuar nga reagimi i ashpër i kryeministrit, zhvillimevet pozitive nuk do të jenë të lehta për t’u arritur".

Për shumë turq, kjo ka të bëjë me atë që ata e quajnë “islamizimi gradual” i shoqërisë së tyre, dikur shumë laike. Por ka të bëjë gjithashtu me atë që disa e shohin si një qeveri e cila pas 10 vitesh në pushtet duket se nuk dëgjon askënd që e kundërshton. Ekspertja Gyl Berna Ozcan e Universitetit Royal Holloway të Londrës, e viziton shpesh Turqinë.

"Çdo herë që shkoja në Turqi, e shihja shoqërinë më të ndarë, më të zemëruar, më të tronditur nga qeveria. Por ata ndiheshin edhe të pashpresë. Madje, kur isha në Turqi disa muaj më parë, disa thoshin se kjo mund të çonte edhe në luftë civile - aq e polarizuar ishte popullsia".

Pavarësisht protestave të përhapura në vend, Turqia nuk është aspak pranë një skenari të tillë. Por analistët thonë se qeveria ka shumë punë për të bërë për të riparuar imazhin, madje edhe në sytë e disa prej mbështetësve të saj. Analistja Ozcan sheh diçka pozitive në lidhje me gjithë këto trazira.

"Në vështrimin afatgjatë, ky është një zhvillim shumë i shëndetshëm, që tregon se njerëzit duan të kenë të drejtat e tyre dhe se janë të gatshëm për t’i mbrojtur ato".

Është e nevojshme, thonë shumë analistë, që partia në pushtet ta pranojë këtë realitet dhe të marrë masa për të qenë më gjithëpërfshirëse në vend që të kundërpërgjigjet me forcë.
XS
SM
MD
LG