Lidhje

Myslimanët anti-Kapitalistë në Turqi

  • Dorian Jones

Praktikuesit e Ramazanit në Turqi po bëhen nxitës të protestave anti-qeveritare. Të vetëquajturit "myslimanë anti-kapitalistë" organizojnë darka të mëdha publike të Iftarit në fund të agjërimit të përditshëm, për të protestuar kundër qeverisë.

Muaji i agjërimit të Ramazanit ka bërë që protestuesit anti-qeveritarë të ndjekin një strategji të re – grumbullimet në rrugën kryesore të qytetit për Iftar, darka që shtrohet pas agjërimit.

Vetëm disa qindra metra nga qendra e protestave disa javore kundër qeverisë në Parkun Gezi, demonstruesit e ulur mbi gazeta ndajnë ushqim ndërsa policia e mbështetur nga makina të blinduara, i vëzhgon.
Një protestues, i cili nuk dëshiron të indentifikohet, beson se darkat dërgojnë një mesazh të fuqishëm.

"Njerëzit kanë diçka për të thënë, ata kanë probleme me qeverinë dhe ky presion i qeverisë është i papranueshëm. Duke ngrënë Iftarin së bashku, njerëz të niveleve të ndryshme të shoqërisë, me mendime të ndryshme, ndjenja të ndryshme shprehin kundërshtimin e tyre ndaj presionit të qeverisë."

Darkat e protestuesve organizohen nga grupi i vet-quajtur Myslimanët anti-Kapitalistë. Drejtuesi i grupit Ihsan Eliacik akuzon partinë në pushtet se po përpiqet t’i përçajë turqit.

"Akuzat e bëra nga kryeministri se protestat anti-qeveritare janë kundër fesë, janë fallco; ne jemi ata që mbrojmë fenë. E vetmja ndarje në Turqi është mes atyre që kërkojnë dhe marrin përfitime nga ata që janë në pushtet dhe atyre që nuk e bëjnë një gjë të tillë."

Myslimanët Anti-Kapitalistë po protestojnë kundër asaj që ata e quajnë sjellje mburravece e partisë në pushtet dhe pasurimit të anëtarëve të saj. Grupi ka protestuar pranë hoteleve luksoze që thotë se frekuentohen nga përkrahës të qeverisë dhe ministrat e saj.

Mustafa Akyol, autori i librit “Islami Pa Ekstreme”, thotë se ky grup është një alternativë ndaj islamistëve në pushtet dhe laikëve të opozitës.

"Ata nuk janë një grup i madh, përkrahësit e tyre janë të paktë dhe nuk pres që të kthehen në një realitet politik të fuqishëm. Por ata po i shtojnë ngjyra spektrit të diskutimeve dhe më pëlqen që ekzistojnë, që tregojnë se nuk ka vetëm dy kampe monolite, por ka më shumë diversitet në shoqëri."

Sipas statistikave të qeverisë hendeku mes të pasurve dhe të varfërve është thelluar ndjeshëm, megjithë rritjen ekonomike rekord gjatë qeverisjes 10 vjecare.
Profesori i ekonomisë politike Yuksel Taskin, në universitetin Marmara të Stambollit thotë se mesazhi i Myslimanëve Anti-Kapitalistë që kombinon drejtësinë sociale me atë fetare mund të gjejë terren lulëzimi në Turqi.

"Ata sfidojnë fuqishëm pretendimin e partisë në pushtet se ajo përfaqëson islamin. Ata kanë potencial mes të rinjve. Disa nga idetë e tyre mund të gjejnë mbështetje në universitete dhe gradualisht mund të kalojnë në pjesë të tjera të shoqërisë. Kjo është ajo që po ndodh në Turqi. Ekonomia jonë është rritur katër herë, por punëtorët e thjeshtë nuk kanë përfituar nga kjo rritje. Kjo shton tërheqjen ndaj islamit social. Meqenëse njerëzit janë mjaft fetarë në Turqi, atyre u pëlqen kur shqetësimet e tyre sociale dhe fetare bashkohen."

Ndërkohë që ekonomia turke po shfaq shenja ngadalësimi dhe papunësia është në rritje, vëzhguesit paralajmërojnë se mesazhi i Myslimanëve Anti-Kapitalistë mund të bëhet më shumë sesa thjesht irritues për kryeministrin Recep Tayyip Erdogan, në zgjedhjet kombëtare të vitit të ardhshëm.
XS
SM
MD
LG