Lidhje

Reforma e gjyqësorit në Turqi

  • Dorian Jones

Qeveria turke ka miratuar plane të debatueshme për të reformuar organin e lartë gjyqësor të vendit. Qeveria kërkon që Këshilli i Lartë i Gjyqtarëve dhe Prokurorëve të vihet nën kontroll më të madh nga ministria e drejtësisë. Por plani i reformës po tërheq gjithnjë e më shumë kritika kombëtare dhe ndërkombëtare.

Përmes një twiter-i të hënën, Komisioneri i Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut Nils Muižnieks e cilësoi planin për reformën e gjyqësorit në Turqi si një hap pas. Ligji i ri, i cili u çua me shpejtësi në parlament, i jep ministrit të Drejtësisë më shumë kontroll mbi Këshillin e Lartë të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.

Riza Turmen, ish gjykatës në Gjykatën Evropiane, tani anëtar i parlamentit turk me partinë republikane të opozitës, thotë se reforma i jep fund ndarjes së pushtetit mes qeverisë dhe gjyqësorit.

"Ky do të jetë fundi i pavarësisë së gjyqësorit në Turqi, pasi këshilli i lartë i drejtësisë emëron gjithë gjykatësit, ata vendosin rreth transferimit të tyre dhe rreth masave disiplinore. Ajo që do të ndodhë tani në të gjitha çështjet e rëndësishme politike – këshilli i lartë i drejtësisë do të emërojë gjyqtarë që ndajnë të njëjtat pikëpamje politike me qeverinë dhe prokurorët do të jenë të njëjtë."

Reforma e debatueshme ligjore vjen ndërsa qeveria akuzohet për korrupsion. Dhjetorin e kaluar, prokurorët ndërmorrën një hetim të gjerë që rezultoi në dorëheqjen e tre ministrave. Qeveria më pas riemëroi qindra prokurorë dhe police, një lëvizje që kritikët pretendojnë se bllokoi hetimet.

Eksperti i shkencave politike në Universitetin e Stambollit Nuray Mert thotë se ligji i reformës së drejtësisë bie ndesh me pretendimet e qeverisë se po kërkon të demokratizojë vendin.

"Të gjithë e dinë se synimi i qeverisë është të mbrojë vetveten nga akuzat për korrupsion. Dhe të vendos kontrollin e saj të plotë mbi gjyqësorin."

Qeveria këmbëngul se rastet e korrupsionit që janë në process gjyqësor janë të motivuara politikisht dhe fajëson për to pasuesit e udhëheqësit shpirtëror islamik turk, Fetullah Gulenit, i cili jeton në Shtetet e Bashkuara.

Osman Can, ish gjykatës që është tani anëtar i komitetit drejtues të partisë AK në pushtet, thotë se reforma e drejtësisë është e nevojshme për t’i dhënë fund kontrollit të gjyqësorit nga pasuesit e Gulenit.

"Këshilli i lartë i gjykatësve dhe prokurorëve është nën kontrollin e gulenistëve – të gjithë e dinë këtë, i njohim me emra. Prandaj kjo është në fund të fundit një luftë për demokraci."

Kryeministri Recep Tayyip Erdogan e mbrojti fuqishëm reformën, gjatë vizitave të fundit në Bruksel dhe Berlin. Por ndërsa ligji i ri ka marrë lëvdata në Evropë për shkrirjen e gjykatave speciale, që janë kritikuar ashpër nga grupet e të drejtave të njeriut, shqetësimet mbi legjislacionin e ri vazhdojnë të shtohen si brenda dhe jashtë vendit.

Cengiz Aktar me Forumin për Politikat në Stamboll paralajmëron se ligji është kthim serioz mbrapa për prespektivën e anëtarësimit të Turqisë në BE.

"Ky është një hap prapa për Turqinë. Në Bashkimin Evropian nuk ka asnjë këshill të lartë gjykatësish të këtij lloji. Organet simotra në Evropë mbrojnë ose garantojnë që gjyqësori të jetë i pavarur sa më shumë që të jetë e mundur nga qeveria."


Kritikët e ligjit po i bëjnë thirrje presidentit Abdullah Gül ti verë veton atij. Por presidenti, një nga anëtarët themelues të partisë AK ka patur rezerva për të ushtruar forcën e vetos.

Partitë parlamentare të opozitës kanë thënë se do ta dërgojnë ligjin në gjykatën kushtetuese për ta hedhur poshtë. Por vëzhguesit theksojnë se edhe nëse gjykata e pranon rastin, do të duhen muaj për të marr një vendim për ligjin, i cili do të hyjë në fuqi gjatë kësaj periudhe duke lejuar qeverinë të ristrukturojë gjyqësorin.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG