Lidhje

Turqi, zbutet ndalimi për shamitë e kokës


Turqia hoqi ndalimin e shamive të kokës për punonjëset e zyrave shtetërore, duke i dhënë fund një kufizimi të gjatë që ka polarizuar shoqërinë turke. Ndalimi i shamive të kokës në Turqi ishte vendosur shumë dekada më parë.

Ndryshimi hyri në fuqi dje. Megjithatë, shamitë e kokës do të vazhdojnë të ndalohen për gjykatëset, prokuroret, punonjëset e policisë dhe personelin ushtarak.

Kryeministri Rexhep Tajip Erdogan tha në parlament se ky ndryshim duhet të ishte bërë shumë kohë më parë.

"Me ndryshimin e rregulloreve mbi paraqitjet e punonjësve, hiqet një ndalim i dhimbshëm që ka shkaktuar shumë vuajtje për prindërit e të rinjve. Një epokë e errët mori fund. Por dua të përsëris se ne nuk po ofrojmë privilegje për askënd, përkundrazi, po u njohim të drejtën atyre që janë privuar prej saj për vite me rradhë,'' tha Kryeministri Erdogan.

Ndalimi për shamitë e kokës është vendosur 90 vjet më parë, në ditët e fillimit të Republikës Turke dhe ka qenë një nga çështjet më të ngarkuara emocionalisht në Turqi. Prej një kohe të gjatë ai ka ndarë vendin, duke vënë përballë një grup në rritje turqish që praktikojnë fenë me elitën laike, dikur të fuqishme.

Ligji kishte ndaluar shumë gra të mbanin poste në shërbimin publik. Por laikët e shohin heqjen e ndalimit si dëshmi se qeveria po zbaton një program islamist.

"Kjo nuk është gjë e mirë. Unë nuk mund ta përfytyroj një punonjëse të shërbimit publik me shami në kokë. Nuk ishte vendim i drejtë dhe unë nuk e miratoj aspak," thotë një banore e Stambollit.

Kryeministri Erdogan prej kohe ka kërkuar që të mbahen parasysh shqetësimet e muslimanëve që praktikojnë fenë, të cilët e ndihmuan Partinë e tij për Drejtësi dhe Zhvillim të fitojë shumicën parlamentare në vitin 2002.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG