Lidhje

Bashkimi Evropian i shqetësuar nga situata në Turqi


Ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian, që po takohen sot në Bruksel, pritet të diskutojnë mes të tjerash edhe mbi qëndrimin që do mbajnë ndaj bisedimeve për anëtarësim me Turqinë, për shkak të shqetësimeve rreth largimit të Turqisë nga demokracia pas masave shtypëse që pasuan përpjekjen e dështuar për grusht shteti. Një prej masave që po shqyrtohet është edhe pezullimi i bisedimeve të anëtarësimit. Megjithatë, ende nuk ka një konsensus për një hap të tillë.

Megjithë alarmin e Bashkimit Evropian lidhur me shkallën e shtypjes pas dështimit të grushtit të shtetit në Turqi, diplomatët evropianë thonë se duhet të vazhdojnë dialogun me presidentin Tayyip Erdogan. Sipas tyre, qëllimi është për të siguruar ndihmën e Ankarasë për uljen e valës së emigrantëve drejt Evropës dhe për të luftuar Shtetin Islamik në Lindjen e Mesme. Sekretrari i Jashtëm i Britanisë, Boris Johnson:

“Turqia përbën shqetësim. Ndaj është shumë e rëndësishme që të mos e izolojmë Turqinë, nuk duhet të reagojmë kundër interesit tonë të përbashkët lidhur me atë që po ndodh në Turqi. Duhet patur parasysh se Turqia ka kaluar një periudhë të vështirë me përpjekjet për grusht shteti.”

Një raport i Bashkimit Evropain javën e kaluar vinte në dukje se Turqia ka bërë hapa pas në rrugën e anëtarësimit që nga ngjarjet e korrikut pas grushtit të shtetit. Që nga ajo kohë, Ankaraja ka pezulluar, shkarkuar apo arrestuar mbi 110 mijë njerëz, përfshi këtu ushtarakë, gjykatës, mësues, gazetarë dhe udhëheqës kurdë, lidhur me prentedimet për mbështetje të puçit. Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, shprehu qëndrimin e bllokut.

“Tashmë dihet qëndrimi ynë i përbashkët lidhur me zhvillimet e fundit në Turqi, kryesisht pas arrestimit të udhëheqësve të Partisë Republikane Popullore dhe masave të tjera në atë vend gjatë javëve të fundit. Në emër të 28 vendeve anëtare kami shprehur shqetësimet tona shumë serioze, kryesisht kur flitet për lirinë e shtypit apo debatet lidhur me dënimin me vdekje. Këto do të debatohen në takim.”

Berlini dhe disa kryeqytete të tjera evropiane, nuk janë treguar aq entuziastë lidhur me diskutimet për pezullimin e bisedimeve për anëtarësimin e Turqisë. Një marrëveshje mes Bashkimit Evropian dhe Turqisë e arritur në muajin mars ka ulur prurjet e migrantëve që shkojnë në Evropë. Vitin e kaluar rreth 1 milionë emigrantë të nisur nga brigjet e Turqisë, mbërritën në Greqi dhe prej andej vazhduan rrugën në vendet e tjera të Evropës.

Nga ana e saj, Turqia e ka paralajmëruar Evropën për pasoja nëse ajo i pezullon bisedimet e anëtarësimit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG