Lidhje

Turqia bllokon Twitterin pas sulmit


Turqia bllokoi për pak kohë sot Twitterin, për të parandaluar shpërndarjen e fotografive nga sulmi me bombë i së hënës në Suruç, ku u vranë të paktën 30 persona dhe u plagosën dhjetra të tjerë.

Një zyrtar i qeverisë turke tha se më vonë aksesi i Twitterit u rikthye, pasi kompania “hoqi përmbajtjen keqdashëse, siç janë gjuha e urrejtjes, bazuar tek urdhëri i gjykatës.”

Zyrtari foli në kushtet e anonimitetit, për shkak të kufizimeve të vendosura ndaj zyrtarëve që japin komente për shtypin.

Zyrtarët kanë thënë se Turqia i kërkoi Twitterit t’i heqë pamjet që lidhen me bombardimin dhe kompania i hoqi 50 prej tyre para se të vendosej masa e ndalimit.

Po sot, më parë, një gjykatë në Suruç lëshoi një urdhër për ndalimin e publikimit në shtyp të pamjeve që lidhen me sulmin me bombë, përfshirë Internetin dhe rrjetet e tjera sociale, njoftoi agjencia turke e lajmeve Anadolu.

Ndërkohë, autoritetet turke kanë konfirmuar se sulmi i hënës ishte vetëvrasës dhe e identifikuan autorin si Seyh Abdurrahman Alagoz, një 20 vjeçar me kombësi turke.

Shpërthimi pati në objektiv një grup aktivistësh, kryesisht studentë universiteti, të cilët po planifikonin të shkonin në Sirinë fqinjë për të ndihmuar në rindërtimin e qytetit të Kobanit.

XS
SM
MD
LG