Lidhje

Zyrtarët europianë paralajmërojnë Turqinë kundër retorikës nxitëse


Zyrtarë europianë e paralajmëruan të hënën Presidentin turk Recep Tayyip Erdogan të mos përdorë retorikë nxitëse, pasi ai e akuzoi Holandën, një vend anëtar i NATO-s, se kishte mbajtur një qëndrim prej nazisti, duke mos i lejuar zyrtarë të lartë nga Ankaraja të shkonin në mitingje të imigrantëve turq që jetojnë në Holandë.

Shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini dhe Komisioneri për Zgjerimin Johannes Hahn, i bënë thirrje Turqisë “të përmbahet nga deklaratat dhe veprimet e tepruara që rrezikojnë ta acarojnë më tej situatën.”

Të dy zyrtarët thanë se “Është e nevojshme të shmangen shkallëzime të mëtejshme dhe të gjenden mënyra për ta qetësuar situatën.”

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg i bëri thirrje Turqisë dhe aleatëve të NATO-s, “të tregojnë respekt reciprok, të jenë të përmbajtur dhe të mbajnë qëndrime të matura për të ndihmuar në qetësimin e situatës.”

Zoti Erdogan paralajmëroi të dielën Holandën se “do të paguajë çmim” pasi refuzoi të lejonte ministrin e jashtëm të Ankarasë të futej në vend dhe dëboi një ministre tjetër në mënyrë që të mos organizoheshin tubimet me imigrantët turq.

Presdidenti Erdogan e krahasoi Holandën me Gjermaninë naziste për ndalimin e dy ministrave turq.

"Nazizëm dhe fashizëm do të thotë: ajo që bëj unë është e drejtë dhe vetëm unë lejoj atë që unë dua, kur të dua ". Këta njerëz shkuan shumë larg duke mbyllur dyert e konsullatës sonë".

Ankaraja do të mobilizojë mbështetje mes miliona turqve që jetojnë e punojnë në Evropë, në mënyrë që të marrë votën e tyre për të zgjeruar autoritetin e presidentit. Ai ka ambicje për të mbajtur pushtetin deri në 2029.

Kryeministri holandez Mark Rutte i quajti "nxitëse" komentet e Presidentit Erdogan.

"Ky vend, siç e ka theksuar dje kryebashkiaku i Roterdamit, u bombardua gjatë Luftës së Dytë Botërore nga nazistët. Është krejtësisht e papranueshme të flasësh në këtë mënyrë për ne".

"Turqia është një vend krenar; Holanda është një vend krenar,” tha zoti Rutte. “Ne nuk mund të bashkëpunojmë kurrë kur ka shantazhe dhe kërcënime të tilla”.

Mbështetës të qeverisë turke u mblodhën jashtë konsullatës holandeze në Stamboll të dielën, duke shprehur zemërim ndaj vendimit të qeverisë holandeze. Holanda po përgatitet për zgjedhjet e përgjithshme të 15 marsit, dhe zyrtarët kanë frikë se tubimet turke do të forconin nacionalistët holandezë.

Ministrat gjermanë i kanë ashpërsuar komentet kundër Turqisë. Megjithë deklaratën e Kancelares Angela Merkel se qeveria e saj nuk ishte kundër pjesëmarrjes së ministrave turq në tubime me imigrantët, për sa kohë që një pjesëmarrje e tillë bëhej e ditur në rrugë zyrtare, Ministri i Brendshëm Thomas de Maiziere tha se ishte kundër tubimeve politike turke në Gjermani. “Fushata turke nuk ka punë të zhvillohet këtu në Gjermani,” tha ai për mendian lokale.

Ministri i Jashtëm Sigmar Gabriel tha se shpresohnte që Turqia do të sillej me logjikë. Ministri i Financave Wolfgang Schaeuble tha se Turqia “kishte shkatërruar bazat e nevojshme për të vazhduar përpara bashkëpunimin”.

Ministri i Jashtëm austriak tha se Erdogani nuk do të lejohej të zhvillonte tubime në atë vend pasi këto organizime mund të shkaktonin fërkime më të mëdha dhe të pengonin integrimin.

Kryeministri i Danimarkës Lars Lokke Rasmussen, tha se ishte i shqetësuar se “parimet demokratike janë nën presion” në Turqi.

Por në Francë, një tubim u zhvillua sipas planit dhe zyrtarët lokalë thanë se nuk kishte paraqitur kërcënim.

Ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu dhe Ministrja turke për Familjen Fatma Betul Sayan Kaya po përpiqeshin të organizonin imigrantët turq në Holandë për të mbështetur përpjekjet e Erdoganit për një referendum që i jep atij autoritet shumë më të gjerë.

Qeveria holandeze përballet me zgjedhje të vështira të mërkurën, përballë forcës së ekstremit të djathtë të Geert Wilders, një parti anti-islamiste. Autoritetet në Holandë nuk lejuan ardhjen e ministrave Cavusoglu dhe Kaya në Holandë.

Wilders bëri komente lidhur me planet turke për tubime politike: “Këtu jemi në Holandë, jo në Turqi. Një ministër turk nuk ka vend të bëjë lobizëm për dikë si Erdogani që s’është tjetër veçse diktator”.

Dje kryeministri i Turqisë Binali Yildirim tha përmes një deklarate se Turqia do të hakmerrej ndaj Holandës në “mënyrën më të ashpër” dhe me të njëjtën monedhë.

Ankaraja nuk lejoi ambasadorin holandez të kthehej në Turqi dhe kërcënoi se do të marrë edhe masa të tjera. Zyrtarët turq kanë bllokuar hyrjen në ambasadën holandeze në Ankara.

Turqia është anëtare e NATO-s, por përpjekjet e saj të gjata për anëtarësim në Bashkimin Evropian kanë vuajtuar nga pengesa të shumta. Marrëdhëniet e saj me bllokun pësuan rënie pas veprimeve hakmarrëse të Presidentit Erdogan ndaj personave të dyshuar për lidhje me grushtin e dështuar të shtetit. Grindja aktuale me Holandën nuk i çon përpara shanset për anëtarësimin e Turqisë në BE.

"Vendi i cili përfiton nga kjo grindje është Rusia," argumenton Peter Eltsov, profesor i çështjeve ndërkombëtare në Universitetin e Mbrojtjes Kombëtare, i cili tha shërbimit rus të Zërit të Amerikës se Rusia po punon për të minuar Bashkimin Evropian dhe NATO-n, dhe për të rritur ndikimin e vet në botë.

Moska dhe Ankaraja u përplasën pasi Turqia rrëzoi një avion ushtarark rus në Siri në vitin 2015 dhe një shtetas turk vrau ambasadorin rus në Ankara në dhjetor. Por që nga grushti i dështuar i shtetit vitin e kaluar në Turqi, Putin dhe Erdogan janë takuar tre herë për të përmirësuar marrëdhëniet.

"Ne duam të thellojmë marrëdhëniet historike dhe të veçanta mes Turqisë dhe Rusisë," thotë Putin.

Analistët thonë se tërheqja e një vendi anëtar të NATO-s nga aspirata për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian do të ishte një arritje e madhe në përpjekjen e Putinit për të rritur fuqinë e Rusisë.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG