Lidhje

Mohuesit e darvinizmit fitojnë terren në universitetet turke


Beteja mes shkencës dhe kundërshtarëve të saj po ashpërsohet në Turqi ndërsa intensifikohet debati për mësimin e teorisë së evolucionit në universitetet e vendit. Akadamikët po shprehin alarm se ideja e Krijuesit – sipas së cilës bota është krijuar nga Zoti – po zëvendësojnë ato të evolucionit. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Dorian Jones, njofton nga Stambulli.

Qindra akademikë dhe studentë protestuan së fundmi para Universitetit Marmara të Stambollit, pranë vendit ku mbahej i ashtuquajturi simpoziumi i parë shkencor për idenë e Krijuesit. Profesori në pension Alaeddin Senel iu drejtua protestuesve duke e denoncuar takimin.

“Trajtimi njëkohësisht i teorisë së evolucionit dhe asaj të Krijuesit minon themelet e shkencës, tha ai. Teoria e Krijuesit nuk ka bazë shkencore dhe nuk ka vend në asnjë nivel të arsimit”.

Simpoziumi dyditor kishte mbledhur së bashku mbi 20 akademikë që shprehën tezat e tyre kundër njërës prej shtyllave të evolucionit: teorisë së seleksionimit natyral që shpjegon sesi njeriu e ka origjinën nga majmuni.

Një nga oratorët ishte profesori i gjenetikës Ibrahim Pirim i Universitetit Katib Celebi të Izmirit. Ai tha se mangësitë në teorinë e evolucionit lënë hapësirë për besime fetare në shkencë.

“Molekulat dhe çdo gjë tjetër nuk mund të bashkohen rastësisht. Le ta quajmë evolucion, por kjo teori më shqetëson jashtë mase. Këto nuk janë gjëra të rastësishme. Ishste një Krijues mbi gjithçka tjetër që i bashkoi”.

Takimi ishte organizuar nga një klub studentësh, por organizatorët thonë se kishte mbështetjen si të Universitetit të Marmarasë, ashtu edhe autoritetit drejtues të arsimit universitar.

Kritikët akuzojnë partinë islamike AK në pushtet për organizimin e takimit. Para disa muajsh, Kryeministri turk Recep Tayyip Erdogan deklaroi se “të gjithë fëmijët duhet të rriten si myslimanë të mirë”, në mbrojtje të një ligji të ri për arsimin që përfshinte lëndë për profetin Muhamed.

Teoria e Krijuesit u përfshi për herë të parë në tekste shkollore gjatë regjimit ushtarak të viteve 1980, si pjesë e një politike që inkurajonte besimet islamike dhe kundërshtonte idetë e majta që ishin me peshë në atë kohë në Turqi.

Por akademikët thonë se idetë sipas së cilave bota është krijuar nga zoti në tekstet shkollore janë më të dukshme nën pushtetin e parties AK. Profesori Kerem Cankocak i Universitetit Teknik të Stambollit shpjegon origjinën e tyre nga sundimtarët ushtarakë.

“Për 32 vjet ka pasur shtysa për këto ide pasi filloi grushti i shtetit i vitit 1980. Ushtria i mbështeti myslimanët dhe ky është rezultati. Studentët e mi nuk mësuan për evolucionin në shkollat e mesme, kështu që në universitetin tim 90 ndër 100 studentë nuk besojnë ose nuk e njohin teorinë e evolucionit. Nuk mund ta mësosh as gjenetikën, as biologjinë pa ditur këtë teori, sepse nuk ka të tjera”.

Zyrtarisht mësuesit duhet t’i mësojnë të dyja alternativat. Por atyre iu lejohet autonomi e gjerë në zgjedhjen e mësimdhënies. Egitim Sen i sindikatës së mësuesve thotë se kjo i ka bërë anëtarët e sindikatave të përballen me presion nga prindër fetarë, administratorë të shkollës, si edhe nga Ministria e Arsimit që të mos japin mësime për evolucionin.

Ministria e Arsimit e hedh poshtë këtë pretendim, duke thenë se në shkollë eksplorohen të gjitha idetë. Shumë studentë që morën pjesë në simpoziumin dyditor, i bënë jehonë idesë së lirisë akademike.

“Ne do të jemi mjekë. Duhet të jemi të hapur për të gjitha idetë. Duhet t’i studiojmë. Nuk mund t’i pranojmë idetë e evolucionit thjesht sepse përputhen me pikëpamjet politike të pedagogëve”.

“Pedagogët tanë thonë se çdo gjë fillon me evolucionin. Por ka shumë gjëra që nuk i vërteton dot me teorinë e evolucionit. Ky simpozium na krijon mundësinë të diskutojmë për ide të tjera”.

Por profesori Cankocak beson se nuk bëhet fjalë për liri akademike, por për ta çuar vendin shekuj të tërë mbrapa.

“Eshtë njëlloj sikur t’u mësosh studentëve se bota nuk rrotullohet dhe se dielli rrotullohet rreth saj. Vendi nuk mund të ecë pa shkencën. Kjo është sikur t’i kthehemi mesjetës dhe po bëhet gjithnjë e më keq”.

Debati pritet të intensifikohet ndërsa autoriteti më i lartë i arsimit universitar ka në plan një reformim madhor të menaxhimit të universiteteve. Kritikët druhen se kjo do t’u hapë derën ideve të teorisë së Krijuesit që të depërtojnë në programin e universiteteve turke.
XS
SM
MD
LG