Lidhje

Turqia dhe pakicat jo-myslimane

  • Isabela Cocoli

Turqia dhe pakicat jo-myslimane

Turqia dhe pakicat jo-myslimane

Turqia bëri të njohur kthimin e qindra pronave të shtetëzuara gjatë 7 dekadave të fundit të pakicave të krishtera dhe hebraike. Ky vendim shihet si historik për pakicat jo-myslimane në Turqi dhe si një nxitje për përpjekjet e Stambollit për anëtarësim në BE, që kanë ndeshur në vështirësi. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Dorian Jones njofton nga Stambolli:


Kryeministri turk Rexhep Taip Erdogan thotë se vendimi për t’u kthyer qindra pronat e shtetëzuara komuniteteve jo-myslimane është një korrigjim që i bëhet një mase të gabuar. Ai i bëri këto komente në një darkë që u shtrua të dielën dhe ku morën pjesë edhe përfaqësues të fesë së krishterë dhe hebraike.

Ai tha se ka kaluar koha kur qytetarët turq shtypeshin për shkak të fesë, origjinës etnike, apo një mënyre të ndryshme jetese. Ai tha se vendimi i qeverisë nuk është një favor që u bëhet pakicave, por është korrigjim i një padrejtësie ndaj tyre.

Qindra prona do t’u kthehen pas këtij vendimi kishave, varrezave, sinagogave si dhe shkollave. Në se këto prona do t’u ishin shitur më parë një pale të tretë, vlera e tyre aktuale do t’u paguhej pronarëve aktualë. Shumë nga pronat janë shtetëzuar me vendime që pas vitit 1936, kur filluan kufizimet ndaj pronave për pronarët që nuk ishin të besimit mysliman. Kryerabini i Stambollit, Ishak Haleva e mirëpriti vendimin për kthimin e pronave:

Ai tha se kjo ishte një ditë historike dhe për këtë ai falënderoi Zotin.

Gjatë diskriminimit prej dekadash, minoritetet jo-myslimane të Turqisë janë pakësuar së tepërmi, nga miliona në disa qindra mijëra banorë. Prania e tyre në Turqi ka rrënjë të thella mijëra vjeçare. Dikur, Kostandinopoja, Stambolli i sotëm, ishte qendra e Krishtërimit. Edhe sot në Stamboll vazhdon ta ketë selinë udhëheqja shpirtërore e Kishës Orthodokse, e cila që pas krijimit të Republikës Turke ka qenë e diskriminuar. Sipas studjuesit të shkencave politike, Çengis Aktar, kthimi i pronave, shtetëzimi i të cilave ka vazhduar deri në vitet 1990, ka rëndësi thelbësore.

“Ky është një vendim historik. Një vendim tepër i rëndësishëm, simbolik i qeverisë turke. Ai ve në vend padrejtësitë që janë bërë për 75 vjet me radhë, pra kemi të bëjmë me një qëndrim tërësisht të ndryshëm ndaj popullsisë jo-myslimane në Turqi, që nganjëherë konsideroheshin hapur si të huaj.”

Edhe në distriktin Kumkapi të Stambollit, ku historikisht kanë banuar të krishterë, vendimi i qeverisë është mirëpritur.

Ky banor thotë se ndjehet i lumtur dhe se vendimi është një hap shumë pozitiv. Ai thotë se vendimi do t’i bëjë të krishterët në Turqi të ndjehen qytetarë të vendit dhe të barabartë me popullsinë turke.

Ky vendim do të ndihmojë edhe në përmirësimin e marrëdhënieve të tensionuara mes Turqisë dhe BE-së. Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut vazhdmisht ka marrë vendime kundër Turqisë lidhur me çështje të pronësisë dhe me qindra çështje të tjera gjyqësore janë ende të papërfunduara. Kthimi i pronave ka qenë një kërkesë kyçe e BE-së, ku Turqia përpiqet të anëtarësohet.

Një shqetësim kryesor mbetet trajtimi ndaj pakicave jo-myslimane. Megjithë vendimin, studjuesi Aktar paralajmëron se ende mbetet shumë për t’u bërë.

“Ky është vetëm fillimi. Ka me mijëra probleme të tjera që kanë të bëjnë me këtë çështje, si psh vështirësitë me të cilat ndeshen pakicat jo-myslimane për të punuar për qeverinë, apo për t’u zgjedhur në poste kyçe. Rihapja e Seminarit kryesor ortodox Halki, është një tjetër çështje."

Si BE edhe SHBA po i bëjnë thirrje qeverisë turke ta rihapë seminarin Halki, që i përket Kishës Orthodokse Greke. Seminari u mbyll në vitin 1974 dhe Kisha thotë se ai është i rëndësishëm për përgatitjen e priftërinjve. Sekretarja Klinton e ngriti përsëri këtë çështje gjatë vizitës së saj në Stamboll në korrik.

“Shpresoj që së shpejti do të rihapet Seminari Halki, një veprim që do të theksojë fuqinë e demokracisë turke, si dhe një rol udhëheqës të Turqisë në një rajon që po pëson ndryshime”.

Por qeveria turke vazhdon ta refuzojë hapjen e Seminarit, duke thënë se edhe Greqia duhet të bëjë lëshime në trajtimin ndaj pakicave turke. Po ashtu në Turqi ka ankesa lidhur me diskriminimin e pakicave jo-myslimane, kur është fjala për t’i punësuar ata në zyrat shtetërore. Por vëzhguesit e shohin kthimin e pronave të pakicave jo-myslimane si një gjest të fuqishëm ripajtimi.

XS
SM
MD
LG