Lidhje

Turqia dhe Shteti Islamik


Vrasja brutale nga Shteti Islamik e një tjetër gazetari amerikan, e bërë publike përmes videos së publikuar në media sociale pritet të rezultojë në rritjen e presionit të Perëndimit mbi Turqinë. Këto kohë janë shtuar kritikat kundër Ankarasë se ka lejuar territorin turk të bëhet rrugë kalimi për xhihadistët.

Turqia është bërë rruga kryesore e lëvizjes së xhihadistëve që bashkohen me luftimet në Siri, si rezultat i politikave të buta të vendit në dhënien e vizave për udhëtim, kufirit të pambrojtur mirë që e ndan nga Siria dhe infrastrukturës moderne të transportit.

Ankaraja, e cila mbajti qëndrim kundër shtypjes së ashpër të protestuesve sirianë në 2011 nga regjimi i Bashar al-Assadit, ka lejuar ekstremistë që punonin për rrëzimin e tij të vepronin lirisht në territorin turk, njoftojnë mediat në vend. Ankaraja e mohon se është treguar tolerante ndaj këtyre elementëve.

Analistët thonë se ajo që mund ta ketë penguar aftësinë e Turqisë për të goditur xhihadistët është rrëmbimi nga Shteti Islamik i 49 diplomatëve turq dhe familjeve të tyre në Mosul të Irakut afro tre vjet më parë.

Zytarët turq nuk pranojnë të komentojnë për gjendjen e pengjeve pasi qeveria ndaloi në qershor median të raportonte mbi këtë temë.

Opinionisti i gazetës turke Milliyet, Kadri Gursel thotë se kriza e pengjeve nuk është vetëm një krizë humanitare, por tani po dikton edhe politikën e jashtme turke kundrejt ekstremistëve të Shtetit Islamik:

“Qeveria ka vënë censurë në mënyrë që të pengojë çdo lloj diskutimi, pasi ajo që vërejmë aktualisht është se kriza e pengjeve po ndikon tek kontributi turk në luftën kundër Shtetit Islamik. Mendoj se veprimi më i rëndësishëm që mund të marrë Turqia kundrejt situatës së pengjeve është të kontrollojë më mirë kufirin me Sirinë”.

Aleatët perëndimorë po shprehin shqetësim lidhur me numrin e xhihadistëve që e përdorin Turqinë për t’iu bashkuar grupeve ekstremiste si Shteti Islamik.

Sinan Ulgen i Institutit Carnegie në Bruksel thotë se presioni po jep rezultat dhe Ankaraja ka filluar të reagojë ndaj këtyre shqetësimeve.

“Mënyra si i gjykoi Ankaraja këto grupe në të kaluarën ishte disi e gabuar. Politika e Ankarasë ndaj Sirisë është tani më pranë me partnerët në Perëndim dhe në veçanti me Uashingtonin. Tani ata i shohin këto grupe nga i njëjti këndvështrim”.

Një zyrtar i Ministrisë së Jashtme turke tha me kusht anonimiteti se vendet evropiane mund të bëjnë më shumë për të ofruar informacione zbulimi mbi shtetasit evropianë që kalojnë përmes Turqisë për të shkuar në Siri. Por zyrtari pohoi gjithashtu se marrja peng e diplomatëve turq bën të domosdoshme që Turqia të tregohet e kujdesshme në veprimet kundër Shtetit Islamik.

Por ekstremistët nuk kanë vënë në shenjestër vetëm diplomatët.

Në vitin 2003, një celulë e al-Qaidës ndërmori një seri sulmesh me makina bombë në Stamboll kundër sinagogave, konsullatës britanike dhe një banke britanike. Sulmet lanë afro një qind të vdekur dhe shumë më tepër të plagosur.

Në rrugët e Stambollit, disa shprehin frikë për rrezikun që paraqet Shteti Islamik. Një burrë shprehet:

"Jam shumë i shqetësuar, pasi në Turqi ka një segment shumë konservator. Mendoj se nëse Shteti Islamik vazhdon të fuqizohet në Siri dhe Irak, ai mund të shihet si opsion nga këta koservatorë turq dhe kjo më shqetëson”.

Opinionisti Gursel thotë se mbulimi nga media pro-qeveritare i konfliktit sirian vazhdon të jetë një vegël e fuqishme rekrutimi për xhihadistët, sidomos për rekrutime nga radhët e pasuesve të partisë AK, e cila i ka rrënjët tek feja islame. Gursel paralajmëron se qeveria dhe vendi mund ta paguajnë shtrenjtë:

"E dimë se ka qindra e ndoshta mijëra turq e kurdë që i janë bashkuar Shtetit Islamik. Ky është një problem i madh pasi këta njerëz, të kalitur në fushën e betejës, do të kthehen një ditë. E vetmja gjë që nevojitet është që individë që flasin turqisht, që përfaqësojnë ideologjinë e Shtetit Islamik të kthehen ta përhapin këtë ideologji mes masave të sunive”.

Përkrahësit e Shtetit Islamik kanë publikuar një video të një takimi të fundit të qindra pasuesve të kësaj ideologjie në një zonë pranë Stambollit. Qeveria e quajti manovër publicistike. Por analistët thonë se shumë në Turqi e shohin si sinjal të zhvillimeve në të ardhmen, duke shtuar se ndikimi i Shtetit Islamik në Turqi mund të jetë i gjerë dhe me pasoja të rënda.

XS
SM
MD
LG