Lidhje

Turqia, e vendosur për flotiljen e re të ndihmave për Gazën


Turqia, e vendosur për flotiljen e re të ndihmave për Gazën
Turqia, e vendosur për flotiljen e re të ndihmave për Gazën

Turqia po shënon përvjetorin e parë të sulmit të forcave izraelite mbi një flotilje me ndihma për Gazën, me ç’rast humbën jetën nëntë veprimtarë pro-palestinezë. Vdekja e tetë shtetasve turq dhe të një qytetari amerikan me prejardhje turke ka dëmtuar marrëdhëniet mes dy vendeve, që më parë ishin aleatë të ngushtë.

Turma brohoriste “Mallkim Izraelit”, ndërsa marshonte nëpër qendrën e Stambollit për të kujtuar nëntë veprimtarët e vrarë nga forcat izraelite të sigurisë në anijen turke Mavi Marmara. Vitin e kaluar, flotilja ndërkombëtare u përpoq të thyente bllokadën ekonomike që Izraeli ka vendosur ndaj palestinezëve në Rripin e Gazës.

Ata që marshuan në këtë përvjetor janë ende të zemëruar për vrasjet.

“Pati dhunë e u derdhën gjak e lotë në Mavi Marmara dhe ne akoma po e ndiejmë dhembjen. Kemi humbur nëntë vëllezër dhe Izraeli është përgjegjës për këtë”, thotë një pjesëmarrës.

“Ata vranë vëllezërit tanë në anijen Marmara, dhe në Palestinë, ata gjithmonë vrasin vëllezërit tanë. Andaj, ne protestojmë kundër Izraelit dhe themi se Izraeli është terrorist”, thotë një tjetër protestues.

Që kur ndodhi incidenti, dy vendet vazhdojnë të mos pajtohen se kush ishte përgjegjës për humbjen e jetëve në anijen turke.

Organizatorët e flotiljes – Lëvizja “Gaza e Lirë” dhe Fondacioni IHH, një grup turk i ndihmave humanitare – janë duke planifikuar një ngjarje edhe më të madhe sivjet. Njoftohet se kanë ndërmend të dërgojnë një flotilje me 15 anije dhe me më shumë se 1 mijë veprimtarë në bord.

Zëvendës-kreu i IHH-së, Hysejin Oruç, thotë se polemika ndërkombëtare lidhur me vrasjet e vitit të kaluar u ofron mbrojtje anijeve:

“Tani e gjithë bota e di se ky mision është një mision paqësor. Çdo komision ndërkombëtar mund të vijë për të kontrolluar anijet. Dhe kjo është mënyra e vetme për të mbrojtur flotiljen. Tani, e gjitha bota do t’i ketë sytë nga anijet dhe Izraeli nuk do të përsërisë gabimin”.

Izraeli thotë se IHH-ja është më shumë organizatë politike sesa organizatë bamirëse, duke pohuar se ajo ka lidhje të ngushta me Hamasin, të cilin Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë organizatë terroriste – një akuzë kjo që fondacioni bamirës e mohon.

Por në një përpjekje për të mënjanuar kritika të tilla, flotilja me ndihma sivjet ka siguruar mbështetje më të gjerë të organizatave anembanë botës. 15 vende, kryesisht nga Evropa, janë duke ofruar anije. Organizatorët pohojnë se një mbështetje e tillë do të pengojë Izraelin të ndërhyjë ushtarakisht.

Por Dror Feilier, zëdhënës i anijes suedeze, thotë se ata po përgatiten edhe për raste më të rënda:

“Do të bëjmë qëndresë pasive. Në Suedi dhe në vendet e tjera, ne do të stërvisim të gjithë udhëtarët si të bëjnë qëndresë jo të dhunshme. Ne nuk do t’i dorëzojmë anijet”.

Por Izraeli vazhdon të mbrojë veprimet e veta dhe paralajmëron se do të vazhdojë të zbatojë embargon ekonomike ndaj Gazës. Mundësia e një tjetër përballjeje ka shtyrë Shtetet e Bashkuara që t’i kërkojnë Ankarasë të ndalojë flotiljen.

Por ministri i jashtëm turk Ahmet Davutollu përjashtoi çfarëdo ndërhyrjeje.

“U bëjmë me dije se Turqia do të japë përgjigjen e nevojshme për çdo veprim provokimi që përsëritet nga Izraeli në det të hapur”, tha ai. Ministri turk shtoi se “ata që besojnë se Turqia duhet të marrë hapa të caktuar për të ndaluar [flotiljen e re] duhet së pari të paralajmërojnë Izraelin që të mos përsëritet tragjedia njerëzore që ai shtet shkaktoi vitin e kaluar”.

Në Turqi, partia në pushtet AK mban qëndrim të ashpër ndaj Izraelit dhe, në veçanti, mbështet flotiljen e ndihmave për Gazën. Kjo i shkon për shtati popullatës së madhe fetare në vend, thotë politologia nga Universiteti i Stambollit, Nuraj Mert. Ajo shton se ndërsa vendi ndodhet në prag të zgjedhjeve të përgjithshme, qëndrimi i partisë mund të jetë një faktor kyç në politikën e qeverisë.

“Po spekulohet se ky [qëndrim] është pjesë e fushatës zgjedhore. Kjo mund të jetë një përpjekje për të ripërtërirë popullaritetin dhe entuziazmin që kishte vitin e kaluar. Kjo është një arsye popullore dhe do t’i shkojë për shtati partisë në pushtet”.

Votuesit turq dalin në zgjedhje më 12 qershor. Me flotiljen që pritet të lundrojë diku nga fundi i qershorit, vëzhguesit thonë se po kalon koha për të shmangur rrezikun e një ballafaqimi në det të hapur.

XS
SM
MD
LG