Lidhje

Turqia dhe trazirat në Egjipt


Kryeministri turk Rexhep Tayyip Erdogan, ka qënë ndër të parët që kanë dënuar përmbysjen e presidentit egjiptian Mohamed Morsi, të cilën ai e ka fajësuar si një komplot ndërkombëtar. Zoti Erdogan po ashtu ka paralajmëruar se Turqia mund të bjerë viktimë e një komploti të tillë. Vëzhguesit thonë se qëndrimi i tij mund të jetë një shenjë se Ankaraja po përgatitet të mbajë një qëndrim të fortë kundër ndonjë proteste në të ardhmen. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Dorian Jones njofton nga Stambolli.

Kryeministri Erdogan po viziton qytetet ku ai gëzon mbështetje elektorale dhe po flet nëpër mitingje. Fjalimet e tij përqëndrohen tek rrëzimi ushtarak i qeverisë Morsi në Egjipt, dhe udhëheqësi turk pretendon gjithashtu se qeveria e tij mund të bëhet viktimë e një komploti të ngjashëm.

Sot është Egjipti, nesër mund të duan të shkaktojnë trazira në Turqi pasi nuk u intereson një Turqi e fuqishme në rajon, tha ai në një miting në qytetin Bursa, kohët e ffundit. Mos harroni se të gjithë mund të kenë një kurth, por kurthi më i madh është ai i Zotit të plotfuqishëm, shtoi ai.

Partia AKP në pushtet e zotit Erdogan i ka rrënjët në Islamin politik dhe ka lidhje të ngushta politike me Vëllazërinë Muslimane në Egjit. Sinan Ulgen, studiues në institutin Carnegie Europe në Bruksel, thotë se rrëzimi i presidentit egjiptian nga ushtria pati një ndikim të fuqishëm tek zoti Erdogan.

"Duke parë historinë e konfliktit në Turqi mes partisë në pushtet -- AKP – dhe ushtrisë, dhe zbutjen me sukses të ndikimit politik të ushtrisë, është sigurisht shumë e natyrshme për Erdoganin të përkrah këtë linjë me Egjiptin, duke parë një qeveri të zgjedhur në mënyrë demokratike të përmbyset nga ushtria".

Zoti Erdogan ka përsëritur vazhdimisht pretendimet se rrëzimi i presidentit egjiptian ishte pjesë e një konspiracioni ndërkombëtar kundër islamit politik. Kryeministri turk pretendon se një konspiracion i ngjashëm ishte edhe pas protestave disa javore të nxitura nga planet e qeverisë së tij për rindërtimin e Parkut Gezi të Stambollit.

Semih Idiz, komentator diplomatik për gazetën turke Taraf, thotë se ndërsa Turqia përballet me zgjedhje të rëndësishme vitin e ardhshëm, luajtja e kartës së konspiracionit, mund të jetë një lëvizje e mprehtë nga ana e zotit Erdogan.

"Ai mund të ruajë elektoratin dhe të sigurojë që nuk ka ndarje brenda partisë, duke përdorur mentalitetin e rrethimit, - duke thënë duhet të qëndrojmë bashkë në këto momente. Një mënyrë për ta bërë këtë është duke u rënë këmbanave që u shkojnë për shtat mbështetësve të tij të bazës islamike”.

Përmbysja e presidentit egjiptian nga u parapri nga protesta masive në emër të demokracisë. Duke patur parasysh këtë, paralajmëron Soli Ozel, professor për marrëdhëniet ndërkombëtare në Universitetin Kadir Has të Stambollit, zoti Erdogan do ta konsideronte çdo përsëritje të protestave anti-qeveritare në Turqi, si një kërcënim të drejtpërdrejt anti-demokratik të sundimit të tij dhe ka të ngjarë të autorizojë një shtypje të fuqishme të tyre.

"Po të ketë një demonstratë si ajo për parkun Gezi apo një valë demonstratash në vend, përgjigja do të jetë mjaft e ashpër. E gjithë analogjia me Egjiptin përdoret për t’i shërbyer legjitimitetit të shtypjeve të mundshme".

Qeveria turke ka vendosur rregulla që ndalojnë hedhjen e parullave politike në koncerte apo aktivitete sportive. Qeveria ka paralajmëruar gjithashtu se ligjet e saj të ashpra kundër terrorizmit mund të përdoren ndaj protestuesve. Megjithë kërcënime të tilla, analistët thonë se me studentët që po kthehen në shkolla dhe universitete në shtator, protesta të reja mund të shfaqen në horizont.
XS
SM
MD
LG