Turqia kritikoi një projektligj të miratuar nga Senati francez, duke e quajtur atë “diskriminues dhe racist”. Projektligji, cilëson si krim të mohosh se vrasjet masive të armenëve nga turqit thuajse 100 vjet më parë ishin gjenocid. Kryeministri turk Taip Erdogan e hodhi poshtë ligjin si të pavlefshëm dhe u zotua se Turqia do të ndërmarrë sanksione të paspecifikuara kundër aleates së saj në NATO, Francës. Ai tha se sanksionet do të zbatohen hap pas hapi.
Ndërkohë, Armenia e mirëpriti projektligjin. Ministri i Jashtëm i Armenisë Edward Nalbadian tha se kjo ditë do të shkruhet me ar në historinë e mbrojtjes së të drejtave të njeriut.
Dhoma e ulët e parlamenit francez e miratoi projektligjin muajin e kaluar dhe Presidenti Nicholas Sarkozy mund ta nënshkruajë atë në ligj.
Sipas ligjit, kushdo që thotë se vrasja e armenëve nga turqit otomanë nuk është gjenocid, përballet me 60 mijë dollarë gjobë dhe deri në një vit burgim.
Ministria e Jashtme franceze i bëri thirrje Turqisë të mos e teprojë me reagimin e vet, duke shtuar se Franca e konsideron Turqinë “një aleate shumë të rëndësishme”. Ministri i Jashtëm francez Alain Juppe, theksoi lidhjet e fuqishme politike dhe ekonomike mes të dy vendeve dhe shprehu shpresën për kthim në marrëdhëniet konstruktive.